MA JEPNI NJË PIKË UJË…
(homazh për të rënët për liri)
Isuf Sherifi
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
Plaga e madhe sytë po m’i rëndon
E madhja plagë frymën po ma zë
Po e ndiej tokën se si po ma kërkon kokën.
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
Më ngrini në këmbë, për të luftuar kam ardhur
Nuk vdes… jo, mos u shqetësoni, veç etje kam…etje të madhe
Këto dridhje trupi nuk janë dridhje frike
Janë dridhje toke, janë marsh i ri lirie.
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
Më ngrini në këmbë edhe njëherë
Beteja të tjera të mëdhaja na presin
Mos më lini të flej, veç pak po dremitëm
Gjumin në kohë lufte e kam mërzi.
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
Po e shoh një dritë të madhe tek po vjen drejt meje
Duhet të jetë liria e mohuar ndër shekuj
Më ngrini në këmbë ta salutoj, ta puthi në ballë
T’ia them në sy veç dy – tri fjalë.
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
Kam nënën që më pret t’i shkoj bashkë me lirinë
E në mos mundsha të kthehem në shtëpi
I thoni se jam në detyrë të re,
Roje e përjetshme
Me yjet në qiellin e lirisë
Ma jepni një pikë ujë…o shokë, o luftëtarë
veç një pikë ujë…
Dhjetor, 2024