Mabetex Prishtina kampion i futsallit

28 qershor 2020 | 00:58

Mabetex Prishtina është kampion i ri i Kosovës në futsall. Ekipi nga kryeqyteti në ndeshjen finale të “play-off”-it që u zhvillua në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj e ka mundur Liburnin, me rezultat 4:2.

Takimi ishte mjaft interesant dhe i tensionuar herë pas herë, derisa në fundin e ndeshjes u përjashtuan edhe futbollistë dhe zyrtarë të skuadrës gjakovare. Mentor Mejzini ishte shënuesi i parë në takim për rezultatin 1-0 të Liburnit. Por, Prishtina u rikthye në lojë vetëm pak minuta më pas me Alen Jefferson që shënoi nga penalltia. Në fund të pjesës së parë prishtinasit kaluan në epërsi me golin e Azem Brahimit.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë tejet interesante, por që binishi ishte dramatik. Dy minuta para fundit rezultatin në 2:2 e barazoi Malush Qerimi, derisa vetëm 59 sekonda përfundimit të ndeshjes Jefferson shënoi sërish nga penalltia për ta rikthyer epërsinë e prishtinasve. Krejt në fund, kur Liburni po luante pa portier, nga distanca shënoi edhe Azem Brahimi për rezultatin përfundimtar 4-2. Për Mabetex Prishtinën ky ishte trofeu i parë në histori të klubit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mitrovica ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit në konkurrencën…