Mabetex Prishtina përfundon garat evropiane
Mabetex Prishtina ka zhvilluar ndeshjen e fundit në Grupin B të FIBA EuroCup Women.
Prishtinaset në ndeshjen e fundit janë mundur nga Besiktas-i në Turqi me rezultat 98:52 (33:11, 26:14, 22:12, 17:15). Skuadra turke e ka nisur ndeshjen më mirë dhe e fitoi çerekun e parë 33:11, derisa me lojë të mirë vazhdoi edhe në periodën e dytë, që përfundoi 26:14 për vendaset. Besiktas-i fitoi edhe periudhën e tretë 22:12, kurse ajo e fundit ishte më e barabartë dhe përfundoi 17:15.
Yvonne Anderson u dallua te Besiktas-i me 25 pikë, pesë kërcime dhe dhjetë asistime, kurse te skuadra prishtinase u dalluan Nyilah Myers me 17 pikë e 14 kërcime, si dhe Enxhi Xhanaj me 17 pikë e dhjetë kërcime.
Besiktas-i përmbylli fazën e grupeve me tri fitore dhe tri humbje, kurse për Mabetex Prishtinën ishte humbja e gjashtë. Kujtojmë se kjo është hera e parë që një skuadër nga Kosova merr pjesë në një garë të nivelit të tillë, derisa nga fillimi synimi i vashave prishtinase ka qenë që të fitojnë përvojë, pasi ndodheshin në një grup të vështirë. Në dy vendet e para u renditen dy skuadrat ruse, MBA Moscow dhe Sparta.