Macron dhe Merkel përplasen për presidentin e ri të Komisionit Evropian
Ajo që ishte paralajmëruar ndodhi në samitin e jashtëzakonshëm të udhëheqësve të BE-së. Angela Merkel dhe Emmanuel Macron u përplasën në lidhje me kreun e ekzekutivit të bllokut evropian.
Diplomatët thanë se Kancelarja ka mbetur shumë e zhgënjyer nga mënyra sesi presidenti francez e hodhi poshtë me shumë shpejtësi kandidaturën e preferuar të Berlinit, ligjvënësin gjerman të qendrës së djathtë, Manfred Ëeber.
Të 28 udhëheqësit e BE-së u takuan pas dyerve të mbyllura, pa ndihmësit e tyre dhe pa telefona celularë. Presidenti francez ka preferuar dikë me eksperiencë, qoftë nga vendi i tij, qoftë nga shtete të tjera të Evropës, i cili të dijë si të veprojë e të krijojë besueshmëri, një referencë e tërthortë kjo për Ëeberin, që nuk ka mbajtur kurrë një post qeveritar e nuk ka shërbyer në ndonjë institucion aq të rëndësishëm sa KE-ja.
Komisioni Evropian, betejë franko-gjermane për pasuesin e Junckerit
“Çelësi për mua është që njerëzit në pozicionet më nevralgjike të ndajnë projektin tonë, të jenë sa më karizmatikë, krijues e kompetente që të jetë e mundur. Unë dua bashkimin. Nëse mbetemi tek emrat ashtu siç janë, atëherë kemi për t’u bllokuar”, ka deklaruar Macron.
Ai shtoi se BE-së i nevojitet një ripërtëritje pas humbjes së partive tradicionale në zgjedhjet e fundjavës.
Merkel, nga ana tjetër përsëriti mbështetjen e saj për Ëeber, anëtar të CSU-së, i cili ka drejtuar bllokun e qendrës së djathtë PPE në Parlamentin Evropian që prej vitit 2014.
“Ne qëndrojmë në krah të kandidatit tonë të PPE-së, Manfred Ëeber. Kemi përgjegjësi ndaj votuesve tanë, ndaj do të presim e të shohim. Është ende shpejt për të folur për këtë. Të gjithë duhet të tregojnë tolerancë dhe vullnet për t’u angazhuar në kompromis”, ka deklaruar Merkel.
Macron, nga ana tjetër mbështet komisioneren e BE-së për Çështjet e Konkurrencës, danezen Margrethe Vestager, negociatorin e bllokut për çështjen e “Brexit”-it, francezin Michel Barnier, si dhe socialdemokratin holandez, Frans Timmermans, si kandidatë më të përshtatshëm.
Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker e lë postin më 31 tetor.