Macron: Evropa duhet të dalë me një përgjigje konkrete për flukset e emigrantëve afgan
Sipas Presidentit francez Emmanuel Macron Evropa duhet të dalë me një përgjigje “të fortë” për të trajtuar flukset në rritje të qytetarëve afganë.
Në një fjalim televiziv të hënën, Macron paralajmëroi se “destabilizimi i Afganistanit gjithashtu rrezikon të çojë në prurje të parregullta emigratore drejt Evropës“.
Reagimi i Macron erdhi pas situatës shqetësuese që raportuan mediet nga Kabuli ku qytetarë afganë të dëshpëruar përpiqen të largohen nga vendi i udhëhequr nga talebanët, duke u kapur pas avionëve në nisje dhe duke rënë për vdekje.
Udhëheqësi francez paralajmëroi gjithashtu se grupet terroriste mund të përpiqen të përfitojnë nga ngjarjet në Afganistan. Ai bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të “japë një përgjigje të përgjegjshme dhe të bashkuar” ndërsa diskutoi situatën me kryeministrin britanik Boris Johnson
“Afganistani nuk duhet të bëhet një vend i shenjtë i terrorizmit. Ne gjithashtu do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar bashkëpunim efektiv midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, sepse interesat tona janë vërtet të njëjta”, u shpreh ai.
Macron deklaroi se Franca është e gatshme të ndihmojë aktivistët dhe gazetarët të cilët rrezikojnë të vihen në shënjestër për shkak të punës së tyre.