Macron shpall zyrtarisht kandidaturën e tij për president të Francës
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale franceze që do të zhvillohen në prill.
Macron njoftoi kanditaturën e tij për zgjedhjet presidenciale 2022 me anë të një “letre drejtuar francezëve”.
Në letër ai ka përmendur sfidat me të cilat është përballur vendi në mandatin e tij të parë presidencial.
“Gjatë pesë viteve të fundit, ne jemi përballur me shumë sprova së bashku. Terrorizmi, pandemia, lufta në Evropë: rrallë herë Franca është përballur me një grumbullim të tillë krizash,” niste letra, e cila u botua në disa gazeta.
Ne nuk kemi pasur sukses në gjithçka. Ka zgjedhje që me përvojën që kam fituar, pa dyshim që do t’i bëja ndryshe. Por transformimet e ndërmarra gjatë këtij mandati na kanë mundësuar shumë prej nesh të jetojmë më mirë dhe Franca të fitojë pavarësinë. Dhe krizat që kemi përjetuar, dy vitet e fundit tregojnë se kjo është rruga që duhet ndjekur.
Kërkoj besimin tuaj për një mandat të ri si president i Republikës. Unë jam kandidat për t’iu përgjigjur sfidave të shekullit. Unë jam kandidat për të mbrojtur vlerat tona…
Unë jam kandidat për të vazhduar, për të përgatitur të ardhmen e fëmijëve tanë dhe nipërve tanë”.