Macron shtyn përpara planet për një forcë sigurie në Ukrainë gjatë samitit në Paris

27 mars 2025 | 23:15

Liderë nga më shumë se 30 vende u takuan të enjten në Paris për të biseduar për gjetjen e një mënyrë se si ta forcojnë pozicionin e Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës. Ata premtuan ndihmë të re për Kievin dhe shqyrtuan propozimet për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë marrëveshje për paqe.

Pas samitit të quajtur “koalicioni i vullnetit” – i cili nuk përfshin Shtetet e Bashkuara – presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se liderët e mbledhur në Paris janë më të bashkuar se kurrë rreth Ukrainës dhe se ata duhet të garantojnë se janë në gjendje ta kundërshtojnë synimin e Rusisë për zvarritjen e bisedimeve për paqe me qëllim të marrjes së më shumë territori.

“Qëllimi ynë është i qartë”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas samitit.

“Është të arrijmë paqe dhe për ta bërë këtë, duhet ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm”, theksoi ai.

Presidenti francez tha ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të koalicionit kanë për detyrë shqyrtimin e çështjeve specifike ligjore mbi çdo forcë sigurie të udhëhequr nga Evropa, për ta mbështetur një armëpushim, dhe do të raportojnë përsëri brenda tri javësh.

“Do të ketë një forcë sigurie që do të veprojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa vende”, tha Macron.

“Nuk është Rusia ajo që mund të vendosë nëse një forcë sigurie mund të vendoset në Ukrainë”, nguli këmbë ai.

Ai shtoi se tani për tani nuk ka njëzëshmëri për dërgimin e një force të udhëhequr nga Evropa dhe se jo të gjithë anëtarët janë pajtuar të marrin pjesë, megjithëse theksoi se kjo nuk është e nevojshme për të ecur përpara.

Duke folur një ditë para samitit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Macron tha se kjo forcë sigurie nuk do të dërgohej në vijën e parë të luftës dhe nuk do të kishte për detyrë mbikëqyrjen apo zbatimin e ndonjë armëpushim.

Sipas tij, një detyrë e tillë mund t’i caktohet paqeruajtësve të OKB-së.

Gjatë konferencës së tij për shtyp, Macron shtoi se disa vende pjesëmarrëse dhanë zotime të reja për ndihmë ndaj Ukrainës, përfshirë njoftimin e Francës për një paketë të re ndihmë ushtarake me vlerë 2 miliardë euro.

Macron gjithashtu tha se liderët evropianë u pajtuan të mos i lehtësojnë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe se ata do të ndërmarrin masa shtesë për ta goditur të ashtuquajturën flota e errët e Rusisë.

Ritheksimi i mbështetjes për Ukrainën
Përtej këtyre propozimeve, liderët gjithashtu diskutuan se si mund të koordinonin çështjet aktuale që po trajtohen në negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja me Moskën dhe Kievin, duke përfshirë një kërkesë të debatueshme të Rusisë për të lehtësuar sanksionet para se të zbatohet një armëpushim.

Më herët këtë javë, disa runde bisedimesh të koordinuara nga SHBA me Kievin dhe Moskën në Arabinë Saudite çuan në njoftimin e një marrëveshjeje që, sipas Shtëpisë së Bardhë, rezultoi në një zotim “për të zhvilluar masa për zbatimin” e premtimeve të fundit për t’i ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike dhe për një armëpushim në Detin e Zi.

Por, Rusia po kërkon gjithashtu që të plotësohen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

Duke folur një ditë para samitit, së bashku me presidentin Zelensky, i cili gjithashtu po merr pjesë në samit, Macron e akuzoi Rusinë për shfaqjen e një “dëshire për luftë” dhe nguli këmbë se Moska duhet ta pranojë armëpushimin 30-ditor “pa kushte paraprake”.

Lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë dhe një marrëveshje për Detin e Zi
Mes një vale diplomacie të rëndësishme të udhëhequr nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, liderët evropianë janë përpjekur ta sigurojnë një vend në tryezën e bisedimeve, por deri më tani janë përjashtuar nga rundet e bisedimeve mes Moskës, Kievit dhe Uashingtonit.

I nxitur nga marrëveshja e fundit për Detin e Zi dhe këmbëngulësia e Rusisë që të fillojë lehtësimi i sanksioneve si pjesë e procesit, samiti në Paris u përqendrua gjithashtu në çështjen e heqjes së kufizimeve financiare.

Pas samitit, Macron tha se ai dhe liderët e tjerë u pajtuan se tani nuk është koha për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur së fundmi mundësinë e lehtësimit të disa sanksioneve të tyre ndaj Rusisë.

Duke folur për gazetarët gjatë një vizite pune në Xhamajkë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do t’i shqyrtojë kushtet e Moskës.

“Ne do ta vlerësojmë këtë. Disa nga këto kushte përfshijnë sanksione që nuk janë tonat – ato i përkasin Bashkimit Evropian”, tha Rubio në një konferencë për shtyp në Xhamajkë më 26 mars.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për Fox News më 26 mars se beson që Trump “nuk do të hezitojë t’i rrisë sanksionet, nëse kjo i jep përparësi atij në bisedime”.

Ai shtoi se shtrëngimi ose lehtësimi i sanksioneve do të varet nga veprimet e mëtejshme të udhëheqjes ruse.

Bessent tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina mund të nënshkruajnë marrëveshje për burimet natyrore javën e ardhshme. Marrëveshja fillimisht ishte planifikuar të nënshkruhej më 28 shkurt gjatë vizitës së fundit të Zelenskyt në Uashington, por ceremonia e nënshkrimit u shty pas një debati të ashpër midis Zelenskyt, Trumpit dhe nënpresidentit JD Vance në Zyrën Ovale. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave…