Macron vë në dyshim BE-në: Ky është momenti i së vërtetës
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Bashkimi Europian po përballet me “momentin e së vërtetës” gjatë pandemisë së Covid-19. Sipas Presidentit francez në këtë kohë duhet shfaqur një solidaritet shumë i madh mes vendeve anëtare.
Macron iu bashkua Spanjës, Italisë dhe Portugalisë duke thënë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse blloku europian të krijojë një fond ku mund të lëshohet një borxh i përgjithshëm me garanci të përbashkët.
Këto vende kanë mbështetur atë që quhet “coronabonds”. Ky plan kundërshtohet nga Gjermania, Holanda dhe Austria. Lideri francez deklaroi se nëse dështohet në forcimin e solidaritetit mes vendeve anëtare kjo mund të çojë në përfundimin e Bashkimit Europian.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, ju them që do të fitojë populizmi sot, nesër, pasnesër, në Spanjë, Itali, ndoshta në Francë apo kudo. Është e dukshme që njerëzit do të thonë “Çfarë po ofron BE-ja?”. Këta njerëz nuk po ju mbrojnë në kohë krizë, nuk kanë solidaritet”, tha Macron.
Komenti i fundit Macron vjen pasi Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i kërkoi ndjesë Italisë për përgjigjen e ngadaltë të bllokut ndaj krizës shëndetësore.