
Macron: Zelensky pranoi një armëpushim pa kushte
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka rënë dakord për një armëpushim pa kushte me Rusinë, një zhvillim i rëndësishëm që mund të hapë rrugën drejt përfundimit të konfliktit të gjatë mes dy vendeve.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili njoftoi për këtë marrëveshje pas një takimi të zhvilluar me Zelenskyn.
Dy liderët patën një bisedë kokë më kokë në kuadër të ceremonive mortore të mbajtura për nder të Papa Françeskut, ku morën pjesë shumë personalitete të rëndësishme nga mbarë bota.
Në një deklaratë për mediat, Macron e përshkroi takimin me presidentin ukrainas si “një shkëmbim shumë pozitiv mendimesh”, duke theksuar gatishmërinë e Kievit për të ndjekur rrugën e paqes.
“Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte. Presidenti Zelensky ma riafirmoi këtë sot. Ai dëshiron të punojë ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë për ta bërë këtë realitet. Tani i mbetet presidentit Putin të tregojë me vepra se është i angazhuar për paqen”, shkroi Macron në rrjetin social X.
Në vijim të deklaratës së tij, presidenti francez shtoi se përpjekjet diplomatike do të intensifikohen në kuadër të Koalicionit të Vullnetit, një nismë e nisur në Paris në marsin e kaluar, që synon jo vetëm një armëpushim të menjëhershëm, por edhe ndërtimin e një paqeje të plotë dhe të qëndrueshme për të ardhmen e Ukrainës.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë thelbësor për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe për të siguruar që sakrificat e bëra deri tani nga populli ukrainas të shpërblehen me një të ardhme më të sigurt dhe paqësore.
Ndryshe, Zelensky para varrimit të Papa Françeskut pati një takim edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.