Macroni bën thirrje për armëpushim në konferencën e ndihmës për Gazën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje të enjten për një armëpushim në Gaza kur ka hapur një konferencë për ndihmë në territorin palestinez, nën bombardimet e Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.
“Në afat të menjëhershëm, ne duhet të punojmë për mbrojtjen e civilëve. Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për një pauzë humanitare shumë shpejt dhe ne duhet të punojmë drejt një armëpushimi”, u ka thënë Macroni delegatëve në Paris.
Izraeli ka qëndruar larg bisedimeve rreth ndihmës për civilët në enklavën prej 2.4 milionë banorësh, ku Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 10 500 njerëz, shumë prej të cilëve fëmijë, raporton “AFP”.
Militantët e Hamasit kanë sulmuar përtej kufirit nga Gaza në Izrael më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1 400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë më shumë se 240 pengje, kanë thënë zyrtarët izraelitë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk do të ketë karburant në Gaza dhe nuk do të ketë armëpushim me Hamasin, nëse pengjet nuk lirohen.
Macroni ka folur me Netanyahun të martën dhe dyshja do të bisedojnë përsëri pasi të përfundojë konferenca e ndihmës e së enjtes, ka njoftuar Pallati Elysee.