Macroni bën thirrje që bota të bashkohet për “të luftuar për paqe”
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mirëpritur rreth 70 liderë botërorë të dielën në Paris, të cilët kanë marrë pjesë ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Armëpushimi kishte hyrë në fuqi më 11 nëntor, 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.
Macroni ka mbajtur një fjalim te Harkun i Triumfit, ku është varrosur një ushtar i panjohur që është vrarë gjatë luftës.
Në këtë ceremoni, ku morën pjesë rreth 70 liderë botërorë ishin edhe presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ai rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Në fjalimin e tij, Macron u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bashkojnë forcat për të “luftuar për paqe”, duke thënë “le të ndërtojmë shpresat tona, në vend se të luajmë me frikë kundër njëri tjetrit”.
“Shkatërrimi i kësaj shprese me një magjepsje për tërheqje, dhunë apo dominim, do të ishte një gabnim për të cilin gjeneratat e ardhshme do të na bëjnë ne përgjegjës”, ka thënë presidenti francez.
Macroni e ka përshkruar nacionalizmin si një “tradhti të patriotizmit”.