Macroni e anulon vizitën në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vizita e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e planifikuar për këtë javë në Beograd, është anuluar për shkak të trazirave në Francë.
Vuçiq ka thënë se ka biseduar me Macronin dhe se ai “e ka lutur që vizita të shtyhet për disa javë”.
“E di se sa e vështirë është të realizohen reforma të përgjegjshme ekonomike”, ka deklaruar Vuçiq në një konferencë shtypi në Beograd.
Që disa fundjava, Lëvizja “Jelekët e verdhë” organizon protesta në Francë, në kundërshtim të rritjes së paralajmëruar të çmimit të karburanteve, në kuadër të disa masave për mbrojtjen e mjedisit.
Por, protestat janë shndërruar në zemërim të përgjithshëm ndaj politikave të Macronit.
Të shtunën, në përleshjet midis protestuesve dhe policisë janë plagosur mbi 260 vetë, në mesin e tyre 81 pjesëtarë të forcave të sigurisë.