Macroni e lë si mundësi të hapur pezullimin e vizave për Kosovën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, ka deklaruar Macron.
Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.
Nga Zyra e Presidentit të Francës, janë sqaruar lidhur me këtë çështje përmes një deklarate për mediet shqiptare.
Zyra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ‘mbetet e hapur’. “Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.
“Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, ka thënë Macron.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira, porse Kosova e ka futur veten në një, siç është shprehur ai, kurth.
“Folëm dje, në samit, me Kurtin dhe Bërnabiqin për situatën. Po sjell një fjalë të Mark Rutte kur iu drejtua të dyve. ‘Mos harroni kurrë se një kompromis më shumë se çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh’. Nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët, është shumë më e madhe e me kosto më të lartë se llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbim’. Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE. Të dyja palët kanë një plan, ai franko-gjerman, që është [gjëja] më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë Rama.
Ai ka rikujtuar shembullin që i kishte thënë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton kur ishte për vizitë në Shqipëri. “Thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës (ende pa nisur sulmet). Arafat kishte në tryezë marrëveshjen më të mirë të mundshme, Izraeli tha se do ta firmosë, të nesërmen ndërroi mendje. Palestina është shkatërruar jo nga Izraeli, por nga klasa e vet politike. E mira e madhe e Kosovës është ta firmosë dhe ekzekutojë gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, pastaj t’ia lërë në dorë BE-së”, ka rikujtuar Rama.