Macroni i kërkon Vuçiqit zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën
Presidenti francez Emanuel Macron është takuar dje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit, takimi me Vuçiqin u realizua në Samitin e 4-të të Komunitetit Politik Evropian në Blenheim të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë këtij takimi, Macroni dhe Vuçiqi përshëndetën thellimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha. U fol edhe për Kosovën dhe nevojën e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Kreu i shtetit i përsëriti presidentit Vuçiq mbështetjen e plotë të Francës për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi përkushtimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër. Në këtë kontekst, presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e presidencës franceze.
Presidenti i Republikës në fund kujtoi lidhjen e Francës me marrëveshjet e Dejton-Parisit si dhe me unitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.