Macroni kërkon nga shtetet lindore të mos i lënë vlerat evropiane mënjanë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka takuar të premten udhëheqësit e Sllovakisë dhe të Republikës Çeke.
Përpara se të nisej drejt Bratislavës, Macron i paralajmëroi shtetet lindore të Bashkimit Evropian që të mos bien ndesh me parimet e bllokut.
Në një intervistë të publikuar në mediet çeke, hungareze, polake dhe sllovake, Macroni ka thënë se “Evropa nuk është një supermarket” dhe se shtetet lindore nuk mud të zgjedhin midis vlerave themelore të BE-së.
“Evropa nuk është rrugë me një drejtim: është angazhim reciprok”, ka thënë Macroni.
Ai ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, refuzimin e disa shteteve lindore të BE-së që të pranojnë emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut në bazë të një sistemi me kuota, i cili është hartuar në kohën e krizës me refugjatë në vitin 2015.
“Ne kemi nevojë kolektive për koherencë dhe solidaritet: ne nuk mund të përfitojmë nga buxheti evropian pa treguar solidaritet mbi migrimin”, ka thënë Macroni.
Ai do të takojë në Bratislavë presidentin sllovak, Andrej Kiska, dhe kryeministrin Peter Pellegrini, ndërsa në Pragë presidentin çek, Milos Zeman, dhe kryeministrin Andrej Babis.