Macroni kërkon themelimin e Asociacionit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërkuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kështu është thënë në një komunikatë për medie të lëshuar nga Pallati Presidencial Elysee i Francës, ku është njoftuar për një takim që presidenti francez ka zhvilluar me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, në margjina të Samitit të 4-të të Komunitetit Politik Evropian në Blenheim, të Britanisë së Madhe.
Në komunikatë është thënë se Macroni ia ka shprehur Vuçiqit mbështetjen e plotë për integrimin e Serbisë në BE.
“Ai theksoi përkushtimin e tij në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar evropian dhe kërkoi zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Në këtë kontekst, presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, është thënë në komunikatën e Elysee.
Në fund, presidenti Macron ka ritheksuar përkushtimin e Francës për marrëveshjen e Dejtonit dhe unitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.