Macroni kërkon veprime të forta kundër Rusisë pas sulmeve në Ukrainë

07 prill 2025 | 13:14

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për “veprim të fortë” nëse Rusia vazhdon të refuzojë paqen, pas një sulmi të fundit që ka lënë të vrarë 20 persona, përfshirë nëntë fëmijë, në qytetin e Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Macroni e ka quajtur të papranueshëm vazhdimin e sulmeve ruse që vrasin fëmijë dhe civilë.

Ai ka shprehur ngushëllime për viktimat e sulmeve të përgjakshme, duke përfshirë sulmin e 4 prillit në Kryvyi Rih.

Presidenti francez, ka theksuar se ishte urgjente arritja e një armëpushimi sa më shpejt, dhe kërkoi “veprime të forta” nëse Rusia vazhdon të refuzojë propozimet për paqe.

“Pavarësisht përpjekjeve të ShBA-së dhe Evropës për të siguruar paqen, Rusia po vazhdon të vrasë fëmijë dhe civilë”,  ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka komentuar kërcënimet e vazhdueshme nga Rusia, duke theksuar se sulmet e fundit kishin filluar nga Deti i Zi, duke treguar se Moska po refuzon një armëpushim të pakushtëzuar për të ruajtur mundësinë e goditjes së qyteteve dhe porteve të Ukrainës nga deti.

“Ata duan të ruajnë aftësinë për të goditur qytetet dhe portet tona nga deti”, ka thënë Zelenskyy, duke shtuar se një armëpushim në det është çelësi për sigurinë dhe afrimin e paqes.

Po ashtu, ai ka njoftuar se Rusia kishte shtuar bombardimet ajrore pas një sulmi masiv me raketa dhe dron në Ukrainë gjatë natës, i cili vrau dy persona.

“Presioni ndaj Rusisë është ende i pamjaftueshëm”, ka thënë Zelenskyy, duke kërkuar veprime më të forta ndërkombëtare për të ndaluar agresionin rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappen triumfoi ditën e diel në garën e zhvilluar…