Macroni në hapje të samitit: Mirëpres faktin që Hoti e Vuçiqi po ndihen përgjegjës për të bërë marrëveshje
Ka nisur samiti i Parisit, i cili është duke u mbajtur në mënyrë elektronike.
Në këtë samit i cili është organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, po marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në këtë video-samit, Bashkimi Evropian është duke u përfaqësuar nga përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak.
Në hapje të këtij samiti, Macroni ka thënë se situata është më shumë rreziqe në aspektin e stabilitetit, ndërsa shtoi se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të gjithëve në Evropë.
“Është një situatë me shumë rreziqe sa i përket stabilitetit… Para një viti ishte Samiti i Berlinit me kancelaren Merkel e cila e ka fasilituar një rezolutë, dhe është në interesin e të gjithë evropianëve të gjendet zgjidhje e përshtatshme, e qëndrueshme”, ka theksuar Macroni.
Ai e ka mirëpritur faktin që Hoti dhe Vuçiq po ndjehen përgjegjës për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme.
“Unë do të doja ta përshëndes kryetarin e shtetit Vuçiq dhe kryeministrin Hoti që po e ndajnë me ne këtë ndjenjë përgjegjësie. BE-ja do ta marrë në dorë lehtësimin e procesit të dialogut. Ka pasur mjaft rezultate të arritura me ndihmën e BE-së”, ka thënë Makroni, duke shtuar se marrëveshja finale duhet të jetë e obligueshme për të dy palët.
“Është e domosdoshme tani që të kërkojmë një marrëveshje të këtij diskutimi që të jetë një përfundim legal, i obligueshëm dhe final”, ka thënë ai. /sinjali/