Macroni përmendi pezullimin e liberalizimit të vizave, Rama: Kosova e futi veten në kurth
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka folur për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.
Macroni ka thënë se çështja e vizave “është pezulluar nga ana e Francës”, ndërsa Rama, ka theksuar se “do të ishte dramatike” për Kosovën që ta humbiste të drejtën e lëvizjes në Bashkimin Evropian (BE).
“Sot Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Evropian”.
“Dhe ndërkohë, të dyja palët kanë në tavolinë një plan, që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi Kosovës, më e mira e mundshme”, ka thënë Rama, duke shtuar se në të ardhmen mund të mos ketë oferta më të mira në tavolinë.