Macroni shpreson që me kancelarin Scholz t’i bëjë bashkë Kurtin dhe Vuçiqin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë përgjegjëse autoritetet Kosovës për përkeqësimin e situatës në veri të vendit. Planifikon që gjatë kësaj jave t’i takojë Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin.
Sikurse ShBA-ja, edhe Franca e mban përgjegjëse Kosovën për tensionet në veri, që nisën pasi të premten kryetarët e rinj shqiptarë u futën përmes njësive speciale të Policisë në objektet komunale, përkundër rezistencës së turmave të qytetarëve serbë.
Macron ka folur sot në një konferencë në Bratislavë, ku po merr pjesë edhe Kryeministri Kurti, rreth zhvillimeve në Kosovë.
“Shumë qartë, është përgjegjësia e autoriteteve të Kosovës për situatën e tanishme dhe dështimin e respektimit të një marrëveshje, e cila megjithatë ishte e rëndësishme dhe është arritur pak javë më parë”, ka thënë Macron.
Macron ka thënë tutje se shpreson se do t’i takojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe liderët e Kosovës dhe Serbisë në fund të kësaj jave, për t’i diskutuar zhvillimet në veri.