Macroni thotë se Putini i është zotuar se s’do të ketë eskalim të ri në Ukrainë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka thënë gazetarëve se homologu i tij rus, Vladimir Putin, e ka siguruar atë se forcat ruse nuk do ta rëndojnë krizën afër kufijve të Ukrainës.
“Sigurova një garanci se nuk do të ketë përkeqësim ose eskalim”, tha presidenti francez para se të takohej me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Sidoqoftë, Rusia tha se çfarëdo sugjerimi për garanci “nuk është i drejtë”.
Në një konferencë për gazetarë me presidentin ukrainas, Macroni tha se tani është mundësia që këto negociata të çohen përpara mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se ai mund të shohë zgjidhje konkrete për uljen e tensioneve, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Ndërkohë homologu ukrainas i bëri thirrje Putinit që të marrë masa serioze për uljen e tensioneve. “Unë nuk u besoj vërtet fjalëve, unë besoj se secili politikan mund të jetë transparent duke bërë hapa konkretë”, tha ai.
Pas vizitave në Rusi e Ukrainë, presidenti francez më pas udhëtoi drejt Gjermanisë, ku u bashkua me udhëheqësit e këtij vendi dhe të Polonisë në shfaqjen e përkrahjes së tyre të përbashkët për sovranitetin e Ukrainës.
Udhëheqësit u takuan si pjesë e samitit të grupit “Trekëndëshi i Weimar-it”, i themeluar para 31 viteve pas fundit të Luftës së Ftohtë, për ta ndihmuar trajtimin e sfidave me të cilat tash përballet Evropa.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dha shenjë të hënën se disa nga propozimet e homologut francez “mund ta formojnë bazën e hapave të mëtejmë të përbashkët”, ndonëse “ndoshta është ende shumë herët për të folur për to”.