Madhështorja e gjërave të imta…
Fitim Nuhiu
(Disa fjalë rreth vëllimit poetik “Edhe perënditë pushojnë të shtunën” të Neviana Shehit, botuar nga “Armagedoni”, Prishtinë, 2023)
Vargjet e poetes Neviana Shehi janë sa kureshtare aq edhe informuese dhe të bëjnë të rimendosh në horizonte të reja të mendimit. Ajo i këndon gjërave të mira që bota posedon dhe sikur aty dëshiron të ndalet dhe të jeton në bukuritë e saj. Megjithatë, përdor edhe kritikën me karar. Sikur dëshiron të mos e qortojë lexuesin e vargjeve të saj, sikur nuk dëshiron t’ia prish terezinë, gjithnjë e ledhaton dhe e trajton me një ndjesi subtile, që rrallë poetë ia arrijnë këtij stili.
Vargjet e saj dëshirojnë të ndalen dhe të prekin gjëra shumë të imëta dhe të pavërejtura nga sytë e njerëzve të sotëm, fijet e barit, biseda që zhvillon me to, dinamika që ndodh brenda dhe jashtë atyre fijeve bari. Është interesante qasja sesi ledhaton gjërat që e rrethojnë, duke filluar emrin e saj të shkurtuar, nënën, vajzën, qytetin e saj të lindjes – Durrësin, përrallave për fëmijë, metaforën e Pinokut dhe ndërlidhja e jetës së gënjeshtërt e njerëzve të sotëm, kap detaje të autorëve të mëdhenj që bota ka njohur, duke filluar me personazhet e Shekspirit, Romeon dhe Xhulietën, Madam Bovarinë, birrat e tepërta të Bukovskit, kambanoren e Viktor Hygosë, pikturat e Van Gogut dhe dëshiron t’i çajë kornizat që ta përshkruajë jashtë dimensionit të vet.
Interesante është tema që kap me botën e nëndheshme. Fjala është për krimbin:
“Aty lindin
Aty rriten
Aty ngordhen…” (nën tokë). (fq. 38)
Autorja godet edhe hipokrizinë e “idealistëve” që ngrenë statujat që vet i tradhtuan, ku shpjegohet ngurtësimi dhe pamundësia e tyre për të kundërshtuar po këta që i tradhtuan idealet e dikurshme të përbashkëta (fq. 54 – Lot statuje). Flet për antiheronjtë, për plagën e Çamërisë, godet edhe dehumanizimin e ushtarakut, pra tjetërsimi që uniforma ia sjell atij, i shkruan, engjëjve bekues – fëmijëve dhe këtu sikur dëshiron të ndalet dhe të vallëzoj pafundësisht me shkronjat që ajo krijon dhe formëson vargjet e plotë-kuptimta.
Gjithashtu, dëshiron të flet edhe për tema të filozofisë ekzistenciale, për gjenezën e njeriut, ardhja nga balta, pamundësinë e rikthimit tonë në natyrshmërinë e pastër që filluam, duke vargëzuar:
“Tashmë që faji
është bërë shkëmb
rikthimi juaj në gjenezë
është diçka e pamundur.” (fq. 62)
Butakët e shiut – kështu i quan njerëzit që falë jargavitjes dhe lëpirjes dhe rrëshqitjes së tyre ndaj të fortëve, ia arrijnë qëllimeve të tyre në jetë dhe ia dalin, por përsëri nuk e kuptojnë që po butakë mbeten, pa palcë dhe shtyllë kurrizore, ku thotë:
“Ka kohë që prej tyre
kam nisur ta urrej shiun…” (fq. 90)
Ndër poezitë që duhet veçuar, gjithsesi janë edhe “E SHTUNA E DASHURISË”:
“Koha e dashurisë
patjetër duhet të jetë e shtuna
sepse të shtunën
edhe perënditë bëjnë pushim
dhe puthjeve tona
mund t’u shtojnë një dozë pavdekësie” (fq. 92)
pastaj poezia MODUS VIVENDI (fq. 102-103), ku shtjellon raportet martesore, rutinore që s’kanë dashuri e dhembshuri, ku vetëm i bashkon tavolina e ngrënies dhe shtrati për të fjetur, si dhe poezia: REPLIKË PËR ROBINSON KRUZON (fq. 111), ku rebelohet se përse ia kanë prishur aventurat e tij, në momentin kur shkrimtari ka shkruar për të, kur thotë:
“Emri i tij vdiq
në çastin kur shkrimtari e mori nga jeta
dhe e vendosi në libër.”