Madison Square Garden – The Donald lëshon sfidën finale
“Dream big” (Endërroni gjëra të mëdha) thotë billbordi gjigant i Donald Trumpit, në fasadën e Madison Square Garden, me Empire State Building që ngrihet në sfond. Dy lumenj njerëzorë në rrugët 32 dhe 33 derdhen në stadiumin me kapacitet 20,000 vetë, e mbushin shumë shpejt. Për Trumpin nuk është thjesht një tubim; është një çështje personale. Ai që e krahason veten me artistët më të mëdhenj të Amerikës, prej kohësh donte të fliste në arenën më të famshme në botë.
Kur ishte i ri, ai solli perandorinë e pasurive të paluajtshme të babait të tij nga Bruklini në Manhattan dhe me shfaqjen televizive The Apprentice e eksportoi markën në të gjithë Amerikën: Trump është një krijesë e Nju Jorkut – një prani e vazhdueshme në tabloidet në vitet 1980 – edhe pse Elita e qytetit nuk e respektoi kurrë.
Në mitingje e pikturon qytetin e tij me ngjyra të errëta duke folur për krimin dhe emigrantët e paligjshëm. Megjithatë, ëndrra e tij më e madhe do të ishte të fitonte në Nju Jork, i cili nuk ka zgjedhur një president republikan prej 40 vjetësh, dhe vendi ku ai u dënua për mashtrim në gjykatë. Por për këshilltarët e tij fitore është edhe vetëm kjo shfaqje në Madison Square Garden, e cila u shkon në TV votuesve në shtetet e lëkundura dhe mbledh një mal me para në donacione.
Kamala Harris shpreson të fitojë vota mes grave republikane në emër të të drejtave të abortit. Por në këtë turmë të kapelave të markës Trump ka edhe shumë gra, si një grup mikeshash nga Konektikati që thonë se establishmenti i Uashingtonit sigurisht që po komploton për të parandaluar fitoren e Trumpit.
“Kemi pushuar së ëndërruari. Do të kthej ëndrrën amerikane, epokën e artë… Kamala, je pushuar nga puna”, bërtet Trump nga skena e Madison Square Garden, një vend i shenjtë për mitingjet politike dhe një skenë për këngët e Billy Joel dhe Elton John dhe grushtet e Mohammed Ali dhe Joe Frazier. “Shtetet e Bashkuara janë një vend i pushtuar, unë do ta çliroj”, vijon kandidati për Shtëpinë e Bardhë, duke premtuar dëbime për emigrantët e paligjshëm dhe dënim me vdekje nëse vrasin një amerikan.
Këtu në vitin 1962, John F. Kennedy bëri që Marilyn Monroe të këndonte “Happy Birthday Mr President”. Tani në skenë janë nipi i tij Robert Kennedy, ideologu i dëbimit Stephen Miller, JD Vance i cili i përkufizon “të çmendurit e majtë” si një “armik të brendshëm”, Elon Musk super i emocionuar dhe, çuditërisht, Melania Trump.
“Kam thyer shumë kocka në këtë pallat sporti, por nuk kam parë kurrë një energji të tillë”, thërret mundësi Hulk Hogan. Hillary Clintoni e krahasoi këtë tubim me një tubim pro-nazistësh që u mbajt këtu në vitin 1939: ka fërshëllima për të, por vëmendja është te rivalja e re. Një video në ekran i bën jehonë të qeshurës së Harris. “Çfarë pate”, komenton një zonjë. Tucker Carlson e përkufizon si “një malajziano-samoane me një IQ të ulët”. “Fashiste: ata e emëruan atë pa i mbajtur kurrë zgjedhjet paraprake”, thotë Alina Habba, avokatja e Trump.
Nëse është e vërtetë që historia përsëritet, ka një kapitull që ndodhi në Madison Square Garden dhe që Trump dëshiron ta rijetojë: ai i Grover Cleveland, i cili mori nominimin e tij të dytë këtu në vitin 1892, tre vjet pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe ishte i vetmi president që ka shërbyer dy mandate jo të njëpasnjëshme. / bota.al