Madona me vonesë në koncert/ Admiruesi i saj e hedh në gjyq këngëtaren
Ka diçka që ju të gjithë duhet ta kuptoni – kështu e nisi Madona performancën e saj në koncertin në Las Vegas ndërsa ishte e ulur mbi një piano, duke tundur këmbët. “Dhe kjo është; një mbretëreshë nuk është kurrë vonë”.
Super stari ia tha këto fjalë fansave gjatë koncertit të kësaj jave, duke postuar videon në twitter më pas. Dhe pavarësisht brohoritjeve që erdhën nga turma, jo të gjithë ishin në një mendje. Një fans nga Florida, tani vë bast se edhe gjykata nuk do të jetë në një mendje. Nate Hollander, do ta çojë këngëtaren në gjykatë për fillimin e vonuar të koncerteve të saj. Ai ka paraqitur një padi në Miami Dade, kundër Madonës dhe kompanisë që organizon koncertet. Ai aludon se vonesa e nisjes së koncertit për turin e saj Madame X është shkelje kontrate mes këngëtares dhe blerësit të biletës.
Fakti që Madona i nis koncertet e saj me orë të tëra vonesë, nuk është një risi. Ylli i popit, gjithnjë ka patur vesin ta lërë publikun në pritje më shumë nga ç’mund të tolerohej. Në një nga koncertet e fundit, ajo u mundua të justifikonte gati tre orët vonesë duke thënë; jeni ju që keni ardhur shumë shpejt.