Maduro “dorëzohet”, Venezuela pranon ndihmat e para humanitare
Venezuela priti të martën dërgesën e parë me ndihma humanitare nga Kryqi i Kuq.
24 tonë medikamente, pajisje të thjeshta spitalore dhe gjeneratorë elektrikë nisën t’u shpërndahen qendrave vendore të shëndetit, të cilat prej javësh po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Ato vijnë pas një takimi që presidenti venezuelian, Nicolás Maduro, dhe ai i Kryqit të Kuq patën javën e kaluar.
Të dyja palët kërkuan që çështja e ndihmave të mos politizohet.
Ndërkaq kreu i opozitës dhe presidenti i vetëshpallur, Huan Gaido, e konsideroi mbërritjen e ndihmave humanitare një fitore për venezuelianët, por një disfatë personale për kreun socialist të shtetit, Maduron.
Ky i fundit prej vitesh i kishte refuzuar ndihmat e vendeve të tjera me arsyetimin se vendi i tij nuk gjendej përpara një krize humanitare dhe nuk kërkonte lëmoshë.
Kushtet e vështira ekonomike dhe sociale kanë ndërlikuar jetën e qytetarëve venezuelianë, ndërsa mbi 5,500 prej tyre raportohet se e braktisin vendin çdo ditë.
Disa prej shtresave më të varfra janë detyruar të rrëmojnë për ushqime, objekte metalike, plastikë dhe kartona në qendrat komunale të depozitimit, për t’i shitur dhe për të siguruar jetesën.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, mendohet se një e katërta e popullatës së Venezuelës ka mungesë themelore në ushqime dhe shërbime, dhe situata vetëm pritet të përkeqësohet nëse merret për bazë një vlerësim i FMN-së se ekonomia e vendit do të ngadalësohet me plot 25 për qind në muajt në vijim./javanews.al/