Maduro pritet të fitojë mandatin e dytë presidencial
Votuesit në Venezuelë janë duke votuar në zgjedhjet presidenciale, të cilat pritet t’i fitojë presidenti aktual, Nicolas Maduro. Mandati i presidentit në Venezuelë është gjashtëvjeçar.
Shumë analistë presin që në zgjedhjet e sotme, dalja të jetë e ulët, pas bojkotit nga partia kryesore opozitare dhe denoncimeve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe 14 shtetet e Amerikës Latine.
Maduro, 55-vjeçar, po përballet me tre kandidatë, të cilët nuk kanë gjasa reale që të fitojnë.
Koalicioni opozitar Bashkimi Demokratik, u ka bërë thirrje votuesve që të bojkotojnë zgjedhjet, duke i quajtur ato “farsë”.
Maduro e proklamon veten si trashëgimtar të “Chavismit”, një lëvizje politike që nisi nga paraardhësi i tij, Hugo Chavez, i cili vdiq më 2013.
Zgjedhjet në Venezuelë vijnë në kohën kur shteti gjendet në një krizë ekonomike dhe sociale. (Rel)