Mahir Tutuli zgjedhet kryetar i Gjykatës Komerciale
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 283-të, të mbajtur të mërkurën, ka zgjedhur gjyqtarin Mahir Tutuli, kryetar të Gjykatës Komerciale.
Zgjedhja e tij në këtë pozitë erdhi pasi i njëjti mori besimin e votave të anëtarëve të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në këtë pozitë ka kandiduar edhe gjyqtari Ramiz Kuqi, mirëpo i njëjti nuk është propozuar nga Komisioni Vlerësues për votim në Këshill.
Për këta dy kandidatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 15 prill 2022 ka përfunduar intervistat.
Intervistat ishin zhvilluar nga Komisioni Vlerësues, i cili është në përbërje të kryetares së komisionit Teuta Ibrahimi dhe gjyqtarëve Drita Rexhaj dhe Avni Mehmeti, anëtarë të këtij komisioni.
Kryetarja e Komisionit, Teuta Ibrahimi ka elaboruar në pika të shkurtra raportin e vlerësimit për këta kandidatë. Sipas saj, gjyqtari Mahir Tutuli ka grumbulluar 87.6 pikë, ndërsa gjyqtari Ramiz Kuqi 80 pikë.
Ndryshe, KGJK në takimin e 279-të, të mbajtur me 4 mars 2022 kishte shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Komerciale, konkurs për të cilin kanë aplikuar vetëm kandidatët e lartcekur.