Majko, Gjuriqit: Ëndrrat për ndryshim të kufijve kanë mbaruar
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se ëndrrat për ndryshim të kufijve kanë përfunduar përfundimisht.
Kjo deklaratë e Majkos ka ardhur si reagim ndaj deklaratës së Marko Gjuqirit, i cili ka thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij.
“Dje kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar, bashkë me presidentin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin Pacolli dhe Gashi, në Komunën e Skenderajt, nën hijen e bustit të Bacës Adem Jashari, të isha unë që do ta jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona. Lexova që sot, Gjuriqi, drejtori i Zyrës për Kosovën në shtetin e Serbisë, ka deklaruar se ‘Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra’. Uroj që dikush t’i thotë se Jugosllavia nuk ekziston më. Ëndrrat me ndryshim të kufijve kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor. Natyrisht”, ka shkruar Majko në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/