Majko: Konflikti shqiptaro-serb është një hap larg!
Mëngjesin e së hënën në veri të Kosovës janë rikthyer tensionet që kishin nisur të premten e javës e kaluar, pasi kryetarët e rinj të komunave veriore ishin futur brenda objekteve komunale nën përcjelljen e policisë.
Lidhur me situatën në veri gjatë të premtes kishte reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke treguar se qëndron krah ShBA-së lidhur me atë që është duke ndodhur në veri të vendit.
Për situatën në veri, të hënën ka shkruar edhe ish-kryeministri shqiptar dhe një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste, Pandeli Majko.
Majko ka shkruar se konflikti shqiptaro-serb është një hap larg dhe se shërbimet ruse po punojnë për ta shfrytëzuar situatën
Ai ka potencuar se këmbëngulja për të bërë gjënë e duhur, në politikë, shpesh herë bëhet justifikim për rezultatin e gabuar.
“Konflikti shqiptaro-serb është një hap larg! Shërbimet ruse po punojnë nën ‘alibinë’ e krijuar! Këmbëngulja për të bërë gjënë e duhur në politikë bëhet shpesh justifikim për rezultatin e gabuar!”, ka shkruar Majko në “Twitter”.
Kryeministri Kurti është kritikuar ashpër nga ShBA lidhur me aksionin në Veri. Blinken ka deklaruar se veprimet e tilla do të kenë pasoja në raportet e Kosovës me ShBA-në.