Majko: Nuk do të përtypet në heshtje pezullimi i Speciales
Pandeli Majko, ministri për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë ka reaguar pas nismës së një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të shfuqizuar ligjin me të cilin u themelua Gjykata Shqiptare.
Majko në lidhje me këtë iniciativë shkroi në se politika në Prishtinë po shkon drejt absurdit.
“Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit. Kërkesa për anullimin e Gjykatës Speciale po prodhon paqartësi dhe frikë për të ardhmen”, shkroi Majko.
Ai konstatoi se shfuqizimi i mundshëm i ligjit për specialen nuk do të përtypet në heshtja nga ShBA dhe Britania.
“Kush mendon se SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim ‘sovran’ për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet”, shkroi Majko.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit me një deklaratë kërkoi që të mos shfuqizohet ligji për specialen.
Majko deklaroi se sot nuk mund të diskutohet për atë që duhej diskutuar dje.
“Pyetja është, se pse ajo që refuzohet sot, nuk u diskutua dje kur kishte kohën?! Kjo dhe pyetje të tjera kanë kuptim më shumë se sa dhënia e përgjigjeve”, shkroi Majko.
Ministri që ka marrë mandat të kujdeset për shqiptarët jashtë Shqipërisë tregoi se interesat shtetërore duhet të vendosen mbi ato personale.
“Shteti i Kosovës nuk është një çështje personale. E kundërta është e vërtetë. E drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal. Vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerzit e vegjël”, shkroi Majko.
Për Majkon paqja e Kosovës kalon nëpër harkun e Gjykatës Speciale që sipas tij nuk është hark triumfi.
“Kosova fitoi Luftën. Tani duhet të fitojë paqen… me veten. Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf. Ai do të masë karaktere njerzish më shumë sesa drejtësinë”, përfundoi Majko.