Majlinda Bregu: Duhet t’i çmontojmë barrierat brendapërbrenda rajonit
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ka marrë pjesë në një debat panelistësh të nivelit të lartë për marrëdhënien mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Zagreb të Kroacisë.
Ajo ka thënë se si Evropa, ashtu dhe Ballkani Perëndimor janë duke ndryshuar demografikisht, si një model i vendeve ‘dërguese’ dhe ‘pritëse’, meqenëse pjesa më e madhe e rreth 230,000 qytetarëve kanë migruar ligjërisht nga rajoni drejt BE-së vetëm në vitin 2018. “Ndërkohë që mëse 5 milionë (ose 1 e 4 e popullsisë aktuale të rajonit) kanë migruar gjatë shtatë viteve të fundit. Po të shtojmë edhe numrin e të rinjve, këto shifra janë edhe më të larta: pavarësisht se 61 për qind e tyre e mbështesin integrimin e rajonit në BE, ata nuk po humbasin kohë. Duke pasur parasysh se 35 për qind e të rinjve të rajonit janë të papunë, (dyfishi i nivelit të papunësisë në BE), 62 për qind e të rinjve do të dëshironin të largoheshin e të punonin jashtë shtetit (BB 2019). Këto janë shifra alarmante për rajonin. Megjithatë, ato flasin në mënyrë de facto për europianizimin demografik të popullsisë së saj”, ka thënë Bregu në debatin e panelistëve të nivelit të lartë “Ballkani Perëndimor dhe BE-ja: Sfidat e Përbashkëta dhe Përgjegjësitë e Ndara” të cilin ajo e moderoi, si pjesë të Kongresit Statutor të përvitshëm të Partive Popullore Evropiane (PPE) 2019.
Bregu ka theksuar se RCC-ja është tërësisht e angazhuar për bashkëpunim rajonal. “Besojmë që gjërat mund të ecin përpara dhe se këto tendenca shqetësuese mund të kthehen mbrapsht. Pavarësisht se bashkëpunimi rajonal merr kuptim vetëm atëherë kur destinacioni përfundimtar është integrimi në BE, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku duke lidhur tregjet dhe popujt, duke lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve në të gjithë rajonin, duke përmirësuar sistemet tona arsimore në mënyrë që të plotësojmë nevojat e tregjeve të punës, duke fuqizuar gratë, duke mobilizuar të rinjtë në proceset vendimmarrëse, duke përfshirë edhe aspektin social në veprimtaritë tona – duke çmontuar barrierat brenda për brenda rajonit tonë. Duke arritur të gjitha këto e shumë të tjera do të bëjmë që njerëzit të qëndrojnë dhe ata që tashmë janë larguar, të kthehen e të japin kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërive tona. Sepse në fund të fundit ç’mund të jenë tokat, pa njerëzit?!”, ka thënë Bregu.
Panelistët debatuan lidhur me marrëdhënien mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), duke synuar të hidhnin më shumë dritë e të ofronin zgjidhje për sfidat e përbashkëta, si: migracioni, papunësia e të rinjve dhe fenomeni i ikjes së trurit, si dhe për të diskutuar rreth përgjegjësive të përbashkëta që ndajnë BE-ja dhe Ballkani Perëndimor.
/Epoka e re/