Majlinda e historisë
Majlinda Kelmendi dhe sporti i xhudos, i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, vazhdojnë të shkruajnë historinë e re për sportin e Kosovës. Pas shumë medaljeve të fituara në turne dhe kampionate të ndryshme dhe në Lojërat Olimpike në Brazil, Majlinda të shtunën e fitoi edhe medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane.
Xhudistja Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e parë olimpike për Kosovën, në kategorinë 52 kg në xhudo për femra, në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Rio De Janiero të Brazilit, por krenaria e sportit dhe shtetit të Kosovës nuk u ndal, pasi fitoi edhe shumë medalje të tjera në turne e kampionate të ndryshme, derisa medaljen e fundit të artë e fitoi në Lojërat Evropiane “Minks 2019”. Në këtë mënyrë Majlinda e shkroi edhe një herë tjetër historinë për sportin e Kosovës duke fituar për herë të parë një medalje të artë në Lojëra Evropiane, raporton “Epoka e re”.
Kelmendi në finale e mposhti me Ippon kampionen e deritashme të Evropës, rusen Natalia Kuziutina. Kosova kishte marrë pjesë edhe në vitin 2015 në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, por atëkohë Majlinda kishte munguar dhe Nora Gjakova ia kishte arritur ta fitonte medaljen e bronztë. Nora edhe sivjet fitoi medalje, por kësaj radhe të argjendtën.
Pas triumfit në Bjellorusi, Majlinda Kelmendi ka treguar se vazhdon të jetë gjithmonë e uritur për fitore të reja. “Kurrë nuk jam e kënaqur. Dua gjithmonë të fitoj dhe të jam në krye. Kjo është arsyeja pse punoj kaq fort”, ka thënë Kelmendi. “Sigurisht se po ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë që po marrë pjesë në lojëra evropiane. Kjo në sportin tonë është edhe kampionat evropian, edhe lojëra evropiane, për këtë arsye i morëm nga dy medalje. Ka qenë një ditë e gjatë, e vështirë dhe mund të them se sot kam qenë mjaft e motivuar dhe besoj që gara ka shkuar shumë mirë”, ka deklaruar Majlinda Kelmendi.
Akil Gjakova ndalet në rrethin e tretë
Xhudisti Akil Gjakova nuk ka mundur ta vazhdojë rrugën drejt medaljes sikurse Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova. Akili u ndal në rrethin e tretë të garave në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” nga greku Georgios Azoidis, kategoria -73 kg. Një gabim i Akilit i kushtoi me humbje.
KOK-u falënderon presidentin Thaçi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Evropiane “Minsk 2019”, të cilat po mbahen në kryeqytetin e Bjellorusisë. Presidenti Thaçi ishte në përkrahje të sportistëve të Kosovës, të cilët po e përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre. Presidenti Thaçi pati një takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, kryetarin Besim Hasani dhe sekretarin e përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj. KOK-u e falënderoi presidentin Thaçi për gatishmërinë dhe përkrahjen e vazhdueshme që po ia jep ekipit olimpik të Kosovës.
/Veton ZYMBERI/