Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka takojnë nesër liderët e UÇK-së në Hagë
Majlinda Kelmendi dhe Driton do t’i shkojnë nesër (e enjte) për vizitë drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dy ikonat e xhudos, Kelmendi dhe Kuka kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt Holandës, në një takim për të promovuar suksesin e xhudos së Kosovës, si dhe për t’u dakorduar për programin drejt Lojërave Olimpike.
“Rrugës për në Holandë, ku bashkë me Majlindën do të kemi takime me zyrtarë të këtij shteti për promovimin e suksesit të Kosovës në xhudo si dhe dakordimin e programit drejt Lojërave Olimpike në Paris me federatat mike të Holandës dhe Gjermanisë! Ne po ashtu do të shfrytëzojmë këtë mundësi që nesër të takojmë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn. Historikisht, luftërat e popullit tonë kanë qenë të pabarabarta, gjithmonë kanë qenë të vështira. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se do të zhdukemi, ne jemi zgjuar. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se ne do të dorëzohemi, ne jemi ringritur. Luftërat dhe qëndresa e popullit tonë, gjithmonë kanë qenë frymëzim i imi dhe Majlindës në çdo betejë. Rrugëtimi im dhe i Majlindës ka qenë i vështirë, përplot sfida, pengesa, dëshpërime. Por, ne, bashkë me mbështetjen e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës kemi arritur që vendit t’i sjellim fitore historike. Ashtu është edhe beteja e radhës së krerëve të UCK-së, të cilët do të dalin fitues nga një betejë e pabarabartë, që burimin e ka në raportin skandaloz dhe të padrejtë të senatorit Dick Marty”, ka shkruar Kuka në “Facebook”.