Majlinda Kelmendi merr pjesë në inaugurimin e presidentes Vjosa Osmani (Foto)
Xhudistja Majlinda Kelmendi ishte në mesin e shumë personaliteteve që morën pjesën në inaugurimin e presidentes së re të Kosovës, Vjosa Osmani, të martën në kryeqytet.
Vjosa Osmani e mori zyrtarisht detyrën, dy ditë pasi u zgjodh presidente me 71 në favor në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës të dielën.
Ajo ishte ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës dhe tani kur e mori mandatin e plotë u bë presidentja e gjashtë në historinë e vendit.
Kelmendi, e cila është fituesja e parë dhe e vetme e një medaljeje të artë olimpike në historinë e sportit kosovar, u ftua nga Osmani në ceremoninë e inaugurimit të saj në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Kampionia olimpike në xhudo, si njëra prej vajzave më frymëzuese të vendit, nuk ishte e vetmja nga xhudoja që mori pjesë në ceremoni.
Ajo u shoqërua edhe nga dy xhudistet tjera me nam, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajneri i tyre Driton Kuka dhe presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Ekipi i xhudos u prit nga presidentja në zyrën e saj, po ashtu.