Majlinda, medalisja e olimpiadave policore
Majlinda Canolli me sport ka filluar të merret që nga fëmijëria, kurse në vitin 2006 është bërë pjesë e Policisë së Kosovës dhe për një kohë të shkurt ka arritur të regjistron rezultate shumë të mira. Medaljet që dikur i kanë rrëmbyer policet ndërkombëtare tash e kanë “pronare” Majlindën, e cila në vazhdimësi është duke i shtuar sukseset e saj.
“Prej kur jam inkuadruar në radhët e Policisë së Kosovës, kam filluar me aktivitete fizike në vazhdimësi. Pjesëmarrjen në gara e kam vazhduar fillimisht në garat vendore duke filluar me vrapime te distancave të gjata 21 km, pastaj në maratonë 42 km, por i jam rikthyer edhe distancave të mesme. Kam marr pjesë në gjysmemaratonën e Prishtinës dhe që disa vite jam policja e parë vendore që e rrëmbej medaljen për kategorinë e polices, këtë gjë zakonisht e kanë bërë policet ndërkombëtare. Pastaj kam garuar në maratonën e Gjakovës në distancë 42 km, e cila për herë të parë është organizuar në vitin 2016 dhe aty jam renditur e para në kategorinë e veteraneve”, ka thënë Canolli për “Epokën e re”.
Rezultatet e Majlindës nuk janë vetëm në rrafshin vendor, por Policja e Kosovës e ka sfiduar vetën edhe në garat ndërkombëtare. Si zakonisht suksesi për të nuk ka munguar.
“Duke iu falënderuar Policisë së Kosovës për mbështetje, deri tash kam marr pjesë në dy gara ndërkombëtare të olimpiadave policore: Në Olimpiadën Botërore që është mbajtur në Los Angeles dhe në Olimpiadën Evropiane që është mbajtur në Algrecias të Spanjës, ku jam stolis me disa medalje të arta dhe argjendta. Më mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit dhe Federatës së Atletikës në tetor kam marrë pjesë në maratonën e Brukselit si dhe në garat e organizuara në Shqipëri ku do të veçoja gjysmemaratonën e Tiranës dhe Beratit ku aty jam pjesëmarrëse çdo herë”, ka shtuar ajo.
Më pas policja Majlinda Canolli ka zbuluar se pas sukseseve të njëpasnjëshme është e ftuar speciale në Olimpiadën Botërore që do të mbahet në Kinë.
“Meqenëse jam e vetmja madaliste e olimpiadave policore në shtetet e Ballkanit, sivjet jam e ftuar speciale në olimpiadën botërore të Policisë që do të mbahet në Chengdu të Kinës”, ka thënë Canolli, e cila në lidhje me mbështetjen tregon se nuk e ka nga të tjerët në përjashtim të Policinë së Kosovës që ia mundëson të përfaqësoj atë edhe jashtë Kosovës. /Liridon ZEQIRI/