Majtistët fitojnë në Francë, por paraliza politike po troket në derë
Franca ballafaqohet me një përbërje të re të Kuvendit që vështirë se mund të miratojë ligje dhe me të ardhmen e bisedimeve të vështira nga e hëna për formimin e qeverisë së re, pasi fitorja e befasishme e së majtës e bllokoi synimin e zonjës Le Pen për ta sjellë në pushtet të djathtën ekstreme.
Fronti i Ri Popullor, bllok i partive majtiste, doli forca e parë në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por pasi asnjë grup nuk e ka siguruar shumicën funksionale parlamentare, ka mundësi që fituesi të formojë qeveri të pakicës ose një koalicion të gjerë e të vështirë, raporton agjencia “Reuters”.
Rezultati i zgjedhjeve i tha një goditje therëse presidentit Emmanuel Macron dhe e lë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në situatë të paqartë, duke kumtuar një periudhë të jostabilitetit politik vetëm disa javë para Lojërave Olimpike Parisi 2024.
Macroni përfundoi me një përbërje kuvendi thellësisht të përçarë, në atë që pritet ta dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe ta bëjë më të vështirë për cilindo grup çuarjen përpara të ndonjë agjende të brendshme.
E majta fitoi 182 ulëse, aleanca e qendrës e Macronit 168, ndërsa Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe aleatët e tij 143 ulëse, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cituara nga gazeta “Le Monde”.
Kryeministri Gabriel Attal tha se do ta ofronte dorëheqjen, por nuk qe e qartë nëse presidenti do ta pranonte atë menjëherë, duke e marrë parasysh detyrën e zorshme për formimin e një qeverie. Attal-i tha se do të ishte i gatshëm të qëndronte në rolin e kryeministrit në detyrë.
Partitë e bllokut majtist – ku përfshihen Partia Komuniste e Francës, partia e së majtës ekstreme “Franca e Papërkulur”, të Gjelbrit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës në rundin e parë të bisedimeve për atë se si të ecet tani e tutje.