Makina me targa shqiptare shkrumbohet në Kroaci! Një i vdekur dhe tre në gjendje kritike, pasi “BMW” u përplas me karburantin
Një makinë me targa shqiptare është përfshirë në një aksident të rëndë pasditen e sotme në Kroaci, ndërsa raportohet se tre persona janë dërguar në spital me dëmtime të shumta.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 5:45 në autostradën A1, pranë Mosor-it. Policia e Splitit raporton se një person ka ndërruar jetë dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë nga djegiet.
Një makinë “BMW” është përplasur me një gjenerator në një pikë karburanti, duke bërë që të shpërthejë në flakë. Siç raportohet, shoferi i kësaj makine ka ndërruar jetë pasi është djegur brenda mjetit. Po ashtu, mes makinave të djegura është edhe një “Citroen” me targa shqiptare.
Identiteti i personave të lënduar, si dhe viktimës nuk bëhet ende i ditur. Tre të lënduarit me djegie të rënda në trup, janë duke u trajtuar në spitaline Splitit, raporton Voxnews.al.
Ndonëse është herët për të folur për shkaqet e aksidentit, dyshohet se përplasja mund të ketë ardhur për shkak të përgjumjes së shoferit në timon.
Siç dallohet nga pamjet e vendngjarjes, zjarri ka shkaktuar djegien e pikës së karburantit dhe disa makinave të tjera që ndodheshin aty pranë.