Makolli kërkon të dalin para drejtësisë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë

26 maj 2021 | 14:34

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në Kizhevak të Serbisë është përmbyllur procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore. Sipas qeverisë gjatë gërmimeve atje janë zhvarrosur mbetjet mortore e të paktën nëntë personave.

Ndërsa kryetari i Grupit punues të delegacionit të Kosovës për persona të zhdukur, Ibrahim Makolli, i cili ka qëndruar në Kizhevak ka kërkuar përgjigje nga Serbia edhe për 11 lokacione të tjera që mund të ketë trupa të varrosur. Po ashtu, Makolli ka kërkuar që të dalin para drejtësisë të gjithë ata kriminelë që kanë kryer krime kundër shqiptarëve.

 “Ka edhe një numër të lokacioneve të dyshuara në Serbi që besojmë se do të trajtohen në muajt dhe javët e ardhshme. Ka dyshime për 16 varreza masive të të vrarëve dhe masakruarve dhe ky është lokacioni i pestë. Kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera që mund të ketë trupa të të vrarëve”, është shprehur Makolli.

Më tutje, Makolli ka pohuar se varreza masive në Kizhevak ka lidhje edhe me atë të zbuluar më 2014 ku ishin identifikuar 54 trupa të shqiptarëve të vrarë në masakrën e Rrezallës. “Ka ndërlidhje sepse në dy identifikime të deritashme janë identifikuar si viktima të masakrës së Rrezallës. Vërehet që ka pasur planifikim të mirë jo vetëm për vrasjen e tyre por edhe zhdukjen e kufomave. Sjellja në territorin e Serbisë e dëshmon këtë”, ka thënë Makolli.

 

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 500 persona kanë qenë të zhdukur. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 600 persona, kryesisht shqiptarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Gjilanit është mjaftë aktive sa i përket rinovimit…