Makolli priti përfaqësuesit e shoqatës ‘Malteser’ nga Gjermania
Prishtinë -Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, priti sot përfaqësuesit e Shoqatës Humanitare nga Gjemania ‘Malteser’.
Makolli i falënderoi ata për ndihmën e konsiderueshme që kjo shoqatë ka bërë në Kosovë për institucionet e kategorive të cenueshme, Institutin Special në Shtime dhe Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Ai u premtoi atyre se institucionet e Kosovës do të bashkërendojnë aktivitetet me shoqatën ‘Malteser’ edhe në të ardhmen. “Ne do të shohim dhe studiojmë prioritetet tona, si dhe mundësitë konkrete për bashkëpunim. Në këtë fazë që po kalon vendi ynë, ne kemi ende nevojë për të na ndihmuar, qoftë në aspektin material, në trajnimin e kapaciteteve humane, por edhe në atë ideorë, duke pasur parasysh përvojën e madhe të Gjermanisë në politikat sociale”, tha me këtë rast Makolli.
Përfaqësuesi i shoqatës ‘Malteser’ Stepan Schvarz, tha se ndihma e ofruar për institucionet që kujdesen për këto kategori është bërë me dëshirë dhe vullnet të madh. Ai është shprehur i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në këtë takim, Schvarz kërkoi nga institucionet e Kosovës që të identifikojnë nevojat dhe prioritetet në mënyrë më të detajuar në formatin e një projekti me një staf kompetent dhe profesional që ndihma për Kosovën të jetë më e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Bashkëpunimi me shoqatën ‘Malteser’ dhe mërgimtarët nga Kosova, në krye me aktivistin Hetem Misini, tashmë është bërë i përvitshëm. Ka tri vite që humanistët nga Gjermania përmes ‘Malteser’ ndihmojnë institucionet e kategorive të cenueshme në Kosovë.