Makroshengeni shqiptar apo minishengeni ballkanik

12 shkurt 2020 | 11:40

Bedri Islami

Dje në Tiranë u takuan dy shefat e qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, Rama dhe Kurti. Ishte një takim i paralajmëruar, nga i cili, ashtu si pritej, nuk kishte asgjë të re, veç një linje protokollare, që ka ndodhur thuajse me të gjithë liderët qeveritarë. Si për t’i treguar Kurtit se pak gjë ka ndryshuar në qëndrimin e tij, Rama, në rradhën e ministrave që prisnin të shtërngonin duart me kryeministrin e Kosovës, kishte nxjerrë edhe dy prej tyre që vinin nga Kosova, dhe që më parë kishin qenë pjesë e Lëvizjes së tij, LV-së. Mëria politike shqiptare zgjat më tepër se sa zakonisht mëria njerëzore.

Rama dhe Kurti janë dy figura politike që kanë të përbashktat dhe të veçantat e tyre. Rama, megjithëse me një fillesë politike nacionaliste dhe kundër së majtës, sot drejton forcën politike më të madhe të së majtës në Shqipëri dhe përshfaqja e tij është bërë tashmë kozmopolite.

Kurti, megjithëse drejton një forcë politike të së majtës, përshfaqja e tij politike është thellësisht nacionale. Rama drejton një forcë politike, të cilës i dëshironte fundin në vitin 1991, por që e gjeti të strukturuar, Kurti, nga ana tjetër, e ngriti Lëvizjen e tij, duke qenë njeriu rreth të cilit u mblodhën militantë të rinj.

Rama nihet si mik i afërt i presidentit të Kosovës, Thaçi, që është kundërshtari kryesor i Kurtit, ndërsa Kurti mbështet kundërshtarët më të njohur të Ramës në Shqipëri, Berishën dhe Metën. Koha kur shefi i qeverisë Rama, e konsideronte Albin Kurtin politikanin më të çmuar në Kosovë, apo kur Kurti pritej krahëhapur në kabinetin e Ramës, ka përfunduar.

Të dy, duan apo nuk duan, janë të detyruar të takohen. Të dy, shpesh herë, duke folur me tonin e lirisë, zgjojnë autoritarizmin. Takimi i djeshëm, ndër më të shkurtrit në kohë që ka pasur një kryeministër i Kosovës, vendosi përballë njëri tjetrit dy figura politike, të cilët, edhe pse mund të duken se kanë nisur një bashkëmarrëveshje të rëndësishme dhe në konferencën e përbashkët për mediat kërkuan të mos zbulojnë këmbët lakuriq, përsëri i nxorrën gishtat.

Fytyrat e ngurosura të dy shefa qeveritarë treguan më shumë se sa fjalët e tyre. Duke bërë një detyrë shtetërore, për të cilën paguhen, ata nuk e lanë mënjanë mërinë, e cila, si duket, do të zgjatet. Edi Rama, edhe pse nuk e përmendi si një të drejtë ekskluzive të tij minishengenin, trajtesa që ende askush nuk e di se si lindi dhe pse ishte kjo ngutje në lindje, dëgjoi homologun e tij, në të njëjtën gjuhë, të fliste për makroshengenin shqiptar, si një nisje paraprake e minishengenit ballkanik.
Është jo vetëm një përballje fjalësh. Është më shumë se kaq: është përballje idesh, vizionesh dhe qëndrimesh për një çështje të rëndësishme që ka të bëjë me kombin, qëndrimin ndaj fatit të tij, prioriteteve të një kohe të caktuar dhe, mbi të gjitha, me rradhën e punëve që duhen zgjidhur.

Kontradiktat mes Ramës dhe Kurtit janë të njohura. Ende nuk dihet se çfarë është folur në kabinetin qeveritar, ku me siguri nuk është luajtur basketboll, por ajo që u përshfaq në pak minuta, është e mjaftueshme për të kuptuar se, edhe më tej, në këtë hapësirë, kundërshtitë për një çështje madhore, si ajo e vendosjes së idesë së kombit mbi kozmopolizmin; e të përbashktës ndaj së veçantës, e fillesës ndaj përfundimit, e mendimit të qartë ndaj ngutjes, do të kenë një vend të mëtejshëm dhe do të vazhdojnë të jenë hendek që nuk do të mbushet lehtësisht.

Shqiptarët, qofshin në shtetin amë, apo në Kosovë dhe vise të tjera të banuara prej tyre, nuk identifikohen lehtësisht me shtetin. Kjo mund t’i mvishet rrethanave se, në këto vende shqipfolëse, pavarësisht se nën cilin regjim, qeveritë kanë qenë zakonisht të këqija ose shumë të këqija, ose faktit se nocioni shtet është ende një abstragim, i papërceptueshëm, i panevojshëm, që nuk ka patur staturën e tij në vetdijen tonë. Shqiptarët e kanë pasur më të lehtë të jenë një individ, se sa një nënshtetas.

Koha e tashme i ka vënë ata përballë dy ideve, të cilat, edhe e kundërshtojnë, edhe e qarkojnë njëra tjetrën. Partitë politike në Kosovë, thuajse njëzëri, kanë qenë kundër Minishengenit, pasi e ndjenin veten të përjashtuar në këtë lëvizje apo staturë të re politike, por si gjetje e vjetër. Përdallimi në qëndrim mes Kurtit dhe Ramës nuk është thjeshtë mes individit dhe shtetarit, por edhe mes përfaqësimit të atij grupimi shqiptar që ka vuajtur një periudhë të gjatë nga shteti serb, makineria pushtetore e tij, dhe të grupimit tjetër, i cili e ka përjetuar nga larg, sado me dhimbje.

Kurti e di fare mirë se pa rolin e shtetit shqiptar Kosova nuk do e kishte fituar luftën dhe as paqen, por nuk do që të humbasë në paqe pikërisht atë që është fituar në luftë: të drejtën e vetëvendosjes! Politika e tij kalon përmes makroshengenit shqiptar, pra, përfaqësimit të kombit në një zë të vetëm, edhe pse përmes dy a tri figurave politike në shtete të ndryshme, por , me të njëjtin zë; ndërsa rama e shikon ndryshe: ai e paracakton rolin e Kosovës së zë në vete, që ka të drejtë të kundërshtojë, të mosmiratojë, të vendosë veton e tij, të ketë mendim ndryshe nga sa mund të ketë shteti shqiptar, në fund të fundit, si dy njësi të mëvetme.

Kjo, sa mund të duket përparësi politike, aq është edhe veçim politik. Vizioni i Kurtit duket romantik, ndërda i Ramçs paraqitet si prakticizëm politik, por në fund të fundit, ajo që përjashtohet është shumë më e madhe dhe më jetike, se sa ajo që bëhet pjesë. Takimi Rama – Kurti nuk kishte kohë të rrokte tema të tjera, të cilat prej kohësh janë hedhur si dorashka politike në tryezat e ardhshme.

Rama, ndoshta nuk kishte kohë të sqaronte homologun e tij shqiptar, përse ndërlidhjet mes dy vendeve nuk kanë rritën që ishte menduar; përse ai, Rama, aq befasisht dhe naivisht, deklaroi se kush është kundër Hashim Thaçit është një gomar; përse idetë e tij, të Ramës, për të ardhmen e Kosovës janë ende të pasqaruara, nëse është apo jo për lëvizjen e kufijve me shtetin serb, ashtu si mund ta ketë përgëzuar që Kurti po i kthehet idesë së vjetër të Ramës për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, për të cilën krijoi një përplasje me Haredinajn dhe është në pritje të një gjyqi?

As Kurti nuk ka pasur kohën e duhur për të sqaruar se çfarë do të thotë reciproritet me një shtet që nuk të njeh, që të lufton me të gjithë forcën e tij, që ka vënë në dispozicion të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mijra e mijra dëshmi, shumë prej të cilave të rreme, si mund të ketë reciproritet me një shtet që nuk të tregon se ku janë varret e të zhdukurve, që nuk të ka kërkuar ende falje për gjenocidin në Kosovë? A është reciproritet vetëm ndalimi i fushatës serbe për ç’njohjen e Republikës së Kosovës?

Kurti, pas një vonese thuaj katëmujore për krijimin e qeverisë, ku mbisundoi ndarja e tortës së pushtetit, përmes lëvizjeve nganjëherë naive dhe deklaratave jo serioze, e di fare mirë se tek një pjesë e elektoratit shqiptar nuk ka aureolën e pas 6 tetorit dhe se kthesa e tij ndaj së djathtës, nuk është rruga më e duhur e gjetur nga ai.

Rama, në Kosovë, është në pikiatën e mbështetjes së tij politike. Ai nuk është më njeriu që foli mes Beogradit për Kosovën e pavarur dhe as që mund të mendohet se në një kohë të shkurtër mund të ketë rishtas popullaritetin që nuk zgjati shumë. E keqja është se, përmes tij, njësohet edhe e majta shqiptare, e cila ka luajtur rolin e saj të jashtëzakonshëm gjatë luftës në Kosovë, në përballimin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës dhe ndërtimin e struturave të paqes, për të cilën, Kurti kryeministër, duhet të kishte gjetur një fjalë falenderimi!

Këto dy njerëz, burra shteti, inteligjentë dhe të kundërt, tani janë të detyruar të punojnë me njëri tjetrin ose të largohen nga politika. Nuk kanë rrugë tjetër dhe as që mendohet se mund të ketë. Ata drejtojnë të dy, në dy ant e kufirit, republika presidenciale dhe, sado që të dy kanë një mëri të papërballueshme ndaj presidentëve të tyre, barra e së ardhmes bie në shpatullat e tyre.

Përpara vetes kanë një mori të problemeve që duhen zgjidhur dhe që, metoda e deritashme, me mbledhje të përbashkëta qeveritare, kudo që janë bërë, me plane pafund që mbetin në arkiva, duhet ndërruar urgjentisht.
Njerëzit, para se të prekin me duar të mirat e makroshengenit shqiptar apo ato që premtohen me minishengenin ballkanik, duan lëvizjen e lirë të tyre; lëvizjen e mallrave dhe fuqizimin e ndërlidhjeve tregtare, të cilat u rritën papërfillshëm edhe pse ndaj produketeve serbe u vendos taksa e njohur si e 100 për qindëshit, duan zgjidhje të menjëherëshme të rrjetit të përbashkët energjetik, heqjen e kufirit, si një masë e domosdoshme e makroshengenit shqiptar, ndërtimin e politikave të përbashkëta arsimore, kulturore, në fushën e shendetsisë dhe sidomos në ndalimin e zbrasjes së vendit nga gjeneratat e reja.

Pas vitit 1990 në politikën shqiptare, sidomos të Tiranës, ka pasur mendësi të mbivendosjes së mendimit politik shqiptar të Tiranës mbi atë të Kosovës, çka është e tejkaluar tashmë, por kjo nuk duhet të ketë fushëpamjen tjetër të saj: braktisjen dhe mos koordinimin politik e kombëtar.

Rama është në mesin e vitit të shtatë të qeverisjes së tij. Albin Kurti në ditën e shtatë të qeverisjes. Ata që kanë para vetes janë më të mëdha dhe më të rëndësishme se sa mëritë politike, por edhe pa zemërimin e duhur politik nuk mund të zgjidhen problemet e mëdha që, ose i kanë vendosur vetë, në këtë rast, Rama, ose i kanë gjetur të tilla, në këtë rast, Kurti.

Droja e vetme është se, ndërsa nuk do të mund të merren vesh në gjuhën shqipe, të cilën të dy e flasin shkëlqyeshëm, do të mund të bijnë në një mendje në një gjuhë tjetër, si ndodh shpesh herë me politikanët shqiptarë.Për to, për politikanët shqiptarë, më e rëndësishme e ndoshta më e frikshme, është tundja e një gishti përtej Atllantikut, se sa gjetja e një zgjidhje serioze. A do e bëjnë në të ardhmen këtë Kurti dhe Rama?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amber Rose ka vendosur të ketë një kujtim të përhershëm…