Maksima makiaveliste e zbatuar në romanin e Dostoevskyt dhe të Süskindit
ARDIT MEHMETAJ
Niccolò Machiavelli është i njohur për librin e tij politik “Princi” dhe me thënien e tij “Qëllimi e arsyeton mjetin”, e cila më vonë u shndërrua edhe në teori mbi të cilën janë shkruar libra të shumtë, madje u ndërmorën edhe veprime të ndryshme politike e ushtarake, duke mos e përjashtuar shumë herë edhe dhunën ekstreme. Kjo maksimë u bë edhe pjesë e letërsisë, ku në shumë romane personazhi i vuri vetes një qëllim madhor e, sipas tij, qëllimi madhor që kishte e justifikonte mjetin që e ndërmerrte ai. Rast të tillë kemi në romanin “Krim dhe ndëshkim” të Dostoevskyt dhe në romanin “Parfumi” të Süskindit. Te “Krim dhe ndëshkim”, studenti, i quajtur Rojdon Raskolnikov, i motivuar nga një teori e tij dhe me qëllimin që të bëhet njeri i madh për të mirën e njerëzimit, kryen vrasje. Njëjtë edhe te romani “Parfumi”, Zhan Baptist Grenuiji vret disa vajza adoleshente për ta arritur qëllimin e tij: bërjen e parfumit më të mirë në botë të të gjitha kohëve. Për njërin qëllim është të bëhet i madh në të mirë të njerëzimit, për tjetrin qëllim është krijimi i parfumit më të mirë në botë, pra për t’i shërbyer njerëzimit, por e për-bashkëta e të dyve është se vrasjen e shohin si mjet për qëllimin në sensin se e dyta e legjitimon të parën.
Në romanin e Dostoevskyt, Rojdon Raskolnikov është student i varfër, por krenar. Është njeri që në vetvete ka cilësi të mira. Ai është i ndershëm, i mëshirshëm, bamirës, por edhe i revoltuar. Revolta e tij vjen pasi s’mund ta tejkalojë vetveten. Ai e sheh veten morr, ndërsa ëndërron të bëhet gjeni. Por, me gjithë ato cilësi të mira, ai bëhet vrasës. Ai vret fajdexheshën plakë si dhe motrën e saj, Lizavetën. Vrasjen e parë e kryen me paramendim, ndërsa të dytën detyrohet ta bëjë aty për aty për ta mbuluar vrasjen e parë. Vrasjen ai nuk e bën për para, sa e bën për ta vërtetuar teorinë e tij, pasi për të njerëzit ndahen në dy grupe: në gjeni dhe morra. Të parët janë njerëzit që vendosën rend të ri shoqëror si Muhamedi, Krishti, Napoleon Bonaparta etj., kurse në kategorinë e dytë janë njerëzit që nuk mund ta tejkalojnë dot vetveten. Të parëve u lejohet vrasja, qoftë ta bëjnë vetë personalisht, qoftë përmes dikujt tjetër, ndërsa të dytëve jo. Raskolnikovi, i shtyrë nga kjo ide, është i bindur se ai nuk është morr, por gjeni. Për ta tejkaluar vetveten i duhet një provë e ajo është vrasja e fajdexheshës plakë. Ai e vret atë, por nuk e tejkalon veten e tij. Teorinë e tij se njerëzit nëse kanë qëllime madhore për të mirën e njerëzimit, atëherë u lejohet edhe të vrasin, ai e kishte shkruar më parë edhe në gazetë, e kjo del më vonë si dëshmi kundër tij. Pra, Raskolinkovi nuk bën krim për një jetë më të mirë. Ai kryen vrasje pasi krijon këtë teori dhe i vë vetes qëllime që në njëfarë forme, sipas tij, ia legjitimojnë vrasjet që bën. Në këtë aspekt Raskolnikovi është makiavelist.
Në romanin e Süskindit protagonisti i tij Zhan Baptist Grenuiji është gjeni. Gjenialiteti i tij qëndron vetëm te njëra nga shqisat e tij, e cila ishte tej mase e zhvilluar në krahasim me njerëzit e tjerë. Kjo ishte shqisa e të nuhaturit. Ai i njihte njerëzit edhe pa i parë, i njihte vetëm nga aroma e trupit të tyre. Njihte llojet e drurëve e çdo gjë tjetër. Për nga dija dhe inteligjenca ai ishte nën mesatare në raport më të tjerët, por në shqisën e të nuhaturit ishte superior. Pas shumë sfidave që kalon, ai ëndrrën e realizon kur punësohet te një parfumator. Kështu, Grenuiji, edhe pse i bën parfumet më të mirë në Paris, nuk mjaftohet me kaq. Ai ka qëllime të tjera më të mëdha. Ai ka qëllim të krijojë parfumin më të mirë në historinë e njerëzimit dhe për këtë i duhet të vrasë dhjetëra vajza të reja të virgjëra në mënyrë që aromën e trupit të tyre ta distilojë dhe ta ruajë për ta krijuar parfumin që e ka për qëllim. Ai i vret ato, krijon parfumin dhe në këtë aspekt Zhan Baptist Grenuiji është makiavelist.
Nëse i vëmë në krahasim me Merson e Kamys, të cilit i mungon qëllimi për vrasjen që kryen, Raskolnikovi dhe Grenuiji kanë një motiv dhe një qëllim, kështu që vrasja për ta është urë që dërgon te qëllimi. Por, megjithëse ata veprojnë të shtyrë nga e njëjta teori, ata dallojnë mjaft shumë si në personalitet, si në gjendje e në mënyrë të jetesës, si para, gjatë dhe pas vrasjes. Qëllimit të Raskolnikovit që e shtynë atë te vrasja i paraprin një teori e tij, kurse Grenuiji është i shtyrë direkt nga qëllimi që i vendos vetes. Raskolnikovi pendohet, kurse Grenuiji s’e di as çka është pendimi. Raskolnikovi nxjerr një njeri të pafajshëm nga burgu, për t’u futur vetë, ndërsa Grenuiji e shpëton veten për t’u dënuar një i pafajshëm pas tij. Kjo edhe për faktin se Raskolnikovi bindet nga e dashura e tij, Sonja, që të besojë në Zot, kurse Grenuiji është njeri pa fe, pa Zot dhe rrjedhimisht pa ndërgjegje.
Ndërsa autoritetet në të dy romanet ngjasojnë në neglizhencën ndaj rastit dhe gabimet që bëjnë në drejtësi. Te rasti i Raskolnikovit policët nuk e bëjnë punën si duhet dhe arrestojnë një të pafajshëm në vend të tij, kurse në rastin e Grenuijit autoritetet parisiene shpikin një vrasës vetëm për ta mbyllur rastin. Ata dëshmitë e Grenuijit i vendosin në oborrin e Domenik Dryos që është i pafajshëm dhe në bazë të tyre e dënojnë. Këtu, në të dyja rastet, shfaqet autoriteti shtetëror që jo rrallëherë bën padrejtësi, madje ky fenomen është i pranishëm edhe tre shekuj pas kësaj ngjarjeje, ku në shoqërinë tonë për t’u mbyllur një rast dhe për të mos u akuzuar shteti për neglizhencë në drejtësi, shpesh akuzohet një i pafajshëm dhe dënohet me dëshmitë e të fajshmit.
Pra, të dy provojnë vrasjen, të dy privojnë njerëz nga jeta, të dy kanë një qëllim, por ata janë të ndryshëm dhe të ndryshëm e kanë edhe fundin. Teoria e Raskolnikovit dështon pasi ai pas vrasjes nuk bëhet i madh dhe nuk vendos rend të ri shoqëror, përkundrazi ai bart me vete sekretin e vrasjes, barrën e mëkatit, mostejkalimin e vetvetes dhe në fund shfaq shenja pendese. Për dallim nga ai, Grenuiji e realizon qëllimin e tij. Krijon parfumin që do, i vë vetes një aromë artificiale në trup, pasi e kishte vënë re se të çdo njeri ka një aromë unike të trupit, kurse vetë atij i mungonte. Me gjithë vrasjet që bën, ai vdes i papenduar. Kështu, qasja makiavelistë, përveç në politikë e në luftë, shpeshherë u aplikua edhe nga autorë të mëdhenj të letërsisë përmes personazheve të tyre.