Malala në Pakistan, për herë të parë që nga sulmi
Fituesja më e re e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, është kthyer në Pakistan, për herë të parë prejse është qëlluar nga militantët talibanë.
Yousafzai, tani 20 vjeçe dhe aktiviste e zëshme e të drejtave të njeriut, është qëlluar në kokë në vitin 2012, për shkak të fushatës së saj për edukimin e vajzave.
Televizioni pakistanez ka transmetuar pamje që tregonin Malalën dhe prindërit e saj duke arritur në Aeroportin Benazir Bhutto të Islamabadit, nën masa të rrepta të sigurisë.
Sipas disa njoftimeve, Malala do të qëndrojë në Pakistan deri më 2 prill dhe do ta takojë kryeministrin Shahid Khaqan dhe zyrtarë të tjerë.
Zyrtarët atje kanë thënë se Malala pritet të flasë për perspektivat e promovimit të shkollimit në zonat më pak të zhvilluara të Pakistanit. Sipas tyre, vizita është mbajtur sekrete për arsye të sigurisë.
Nuk është konfirmuar nëse ajo do të vizitojë vendlindjen e saj Suat.