Malcolm Simmons tregon se çfarë përmbanin dokumentet që i’u dhanë prokurorëve serbë

12 korrik 2021 | 11:10

Malcolm Simmons, ish-kryegjykatës i misionit evropian në Kosovë (EULEX) ka thënë të hënën në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion se ky mision u ka dhënë dokumente prokurorëve serbë lidhur me rastet e krimeve të luftës.

Simmonsi para deputetëve ka thënë se në këto dokumente përfshiheshin edhe informata specifike edhe për dëshmitarët e atyre krimeve me prejardhje shqiptare.

“Në 2014 kam zbuluar shume dokumente të krimeve të luftës të cilat u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës. Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”, ka thënë Simmonsi.

Ai ka theksuar se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare, pavarësisht se çfarë prova kanë.

“Autoritetet serbe në 10 vjet e kanë dënuar vetëm një person, në një mision që ka kushtuar me miliona euro”, ka thënë Simmonsi.

Më tutje, Simmonsi ka thënë se Gjykata Speciale është mekanizëm që Bashkimi Evropian e ka përdorur si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

“Pse të mos ketë edhe serbë të akuzuar para Dhomave të Specializuara? Pse BE-ja mendoi se zgjidhja ishte që autoritetet serbe të merren vetë me rastet e krimeve të luftës. E kanë ditur se ata as nuk kanë kapacitete dhe as vullnet që ta bëjnë këtë”, është shprehur Simmonsi, duke shtuar se ndërkombëtarët nuk kishin besim në gjykatat e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria Rajonale në Ferizaj ka njoftuar…