MALET SHQIPTARE DHE HERONJTË KOMBËTARË
Fadil REXHA
Korabi, Gjeravica, Tomori, Shkëlzeni, Lybeteni, Gjallica kanë krenarinë, sepse qëndrojnë më lartë se brigjet, kënetat e moçalet. Ju bëjnë ballë rrebesheve e fortunave dhe nuk lëvizin në jetë të jetrave!
Si malet, janë heronjtë: Skënderbeu, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Shotë dhe Azem Galica, Enver Hoxha, Shaban Polluzha, Adem Jashari, Rexhep Bislimi, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Vëllezërit Haradinaj, Tahir Sinani, … Kishin idealet, kishin atdhedashurinë më të madhe se jetën e tyre dhe kanë pavdeksinë.
Rexhep Bislimi lindi me 13 shtator 1966 dhe u rrit në një familje atdhetare, të dy gjyshërit nga nëna e babai janë dëshmorë përkrah Mulla Idrizit. Si 14 vjeçar pjesëmarrës i Pranverës Shqiptare të 1981-ës. Në vitin 1983 organizohet në grup me: Florim Shabanin, Kadri Musën, Bajram Sylën, Ramadan Sejdiun, Jakup Nuhajn dhe Fadil Rexhën në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës. Moto kishte fjalët: ,,Me fjalë shkau nuk merr vesh! Duhet plumbi!” Në vitin 1985 grupi i ristrukturuar me Fatmir Thaçin, Osman Shahinin, Rexhep Bislimin, Ramadan Sejdiun, Jakup Nuhaj, Fadil Rexhën dhe Hysen Shahinin janë pjesë e grupit më të madh të Lëvizjes, që kishte në vete: Ali Ahmetin, Fehmi Lladrovcin Xhabir Morinën, Ilmi Reçicën, Xhavit Halitin, Shaban Shalën, … (346 pjesëtarë të hetuar e dënuar). Rexha nuk e analizoi se nga kush u zbuluan dhe as nuk u demoralizua, por me një vendosmëri më të madhe, kërkonte të vepronte kundër pushtuesve. Në vitin 1987, Rexhep Bislimi gjenë lidhjen e Lëvizjes … me Sabri Lushin dhe angazhon Bajram Sylën e Fadil Rexhën dhe bëhet pjesë e grupit me Gursel e Bajram Sylejmanit (Vëllezër Dëshmorë), Sejdi Sejdiut (tash Dëshmor), … (grupi kishte 156 anëtarë). As hetimet, torturat dhe as dënimi me 2 vite burg nuk e ligin shpirtin luftarak, në gjyq, si shqiponjë, mohon akuzat dhe demaskon gjyqin e pushtuesit, është burim i moralit për të burgosurit tjerë. Rexhep Bislimi në vitin 1990 prap lidhet me Lëvizjen në grup me Florim Shabanin, Hidajete e Fadil Rexhën, Enver Vranovcin, për të qenë bashkëveprimtar me Bajram Kadriun, Skënder Hajdarin, Qemal e Xhevat Qerimin. Në të njëjtën kohë, është aktiv në aktivitetet që zhvillohen në Shkollën e Lartë Teknike në bashkëveprim me Ilir Konushevcin e studentë të tjerë, aktiv përkrah Adem Demaçit në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, aktiv në angazhime në ndihmë të atdhetarëve, në mbajtjen e familjes, në shkollimin e vëllaut, etj. Shpirti luftarak i tij, nuk duronte tradhti e demagogji, prandaj shpërthente me përbuzjen më të madhe kundër tyre, duke identifikuar liderin pacifist me emrin Esati!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjeti Rexhep Bislimin qysh në vitin 1993. Angazhohet në veprimtari, kontakton nivelet e larta, rekruton shokë bashkëluftëtarë, angazhon njerëz. Hulumton që ta godas pushtuesin dhe gjenë shënjestrën: Pika e kontrollit e milicisë serbe në Gërlicë të Ferizajt, ishte një pikë ku torturoheshin vazhdimisht shqiptarët. Vëzhgon terrenin dhe i propozon instancave më të larta idenë. Nivelet e larta ja mbështesin idenë me armatim dhe njerëz dhe Rexhep Bislimi me Ferat Shalën, Idriz Hajdarin dhe Afrim Nuhajn natën e 12 shtatorit të 1997-ës, sulmuan me mortajë e kallashë pikën e kontrollit të milicisë serbe, në momentin e grumbullimit të dy grupeve të shërbimit. Më vonë, heton terren për veprim në Ferizaj, Kaçanik, Mirosalë, etj. Në maj të vitit 1998 Nënë Hava na thotë: “E di që koha ju kërkon, por ishalla nuk ju shoh të gjallë në dorë të hasmit!”
Me 6 korrik 1998 Rexha arrestohet, torturohet çnjerëzisht, mbytet me 21 korriku 1998. Pushtuesi i mori jetën, për t’i dhënë pavdeksinë! Rexhep Bislimi nuk u lig, sepse është majë e maleve shqiptare!
12 shtator 2023. Ky obelisk në Gërlicë të Ferizajt, shënon sulmin mbi pushtuesin, do t’ju kujton brezave se liria, mirëqenia, zhvillimi i kanë rrënjët në Luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në gjakun e dëshmorëve! Majet e maleve, obelisket, lapidarët ruajnë krenarinë e tokës shqiptare, janë monumente kulti, para të cilave duhet të përkulemi e falemi!