Mali i Zi arreston dy shtetas të Kosovës nën dyshimet për krime lufte
Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Mal të Zi nën dyshimet se kanë kryer krime lufte gjatës luftës së fundit në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, ndërsa thuhet se autoritetet malazeze personat e kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar i ka arrestuar më 1 tetor, respektivisht më 4 tetor për të njëjtën vepër penale.
Lidhur me rastet personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Kosovë sipas procedurave të parapara ligjore, thuhet më tej në komunikatë, derisa Policia e Kosovës vazhdon avancimin e bashkëpunimit përmes Njësisë së Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatimit të Ligjit (ILECU).
“Policia e Kosovës përmes ILECU-t, vazhdon në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera, dhe me organizatat ndërkombëtare policore e të sigurisë, me qëllim të arrestimit të personave të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, ekstradimit apo sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë”.
Kryetari i Partisë Popullore Demokratike (DNP), Milan Knezheviç, njëherë një nga liderët e koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, ditë më parë kërkoi nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që të mos marrë pjesë në, siç tha ai, arrestimin e serbëve dhe malazezëve të arratisur nga Kosova.
Knezheviç, siç ka trasmentuar rrjeti ballkanik i lajmeve në gjuhën serbe “N1”, pretendoi se vetëm në shtatë ditët e fundit, në bazë të kërkesës së Qeverisë së Kosovës, dy serbë të zhvendosur në Mal të Zi – Zhivko Vuksanoviç dhe Momçilo Bulatoviç – janë arrestuar nën dyshimet se kanë krye krime gjatë lufës së fundit në Kosovë.
“Ne sigurisht që nuk do ta tolerojmë këtë lloj terrori ndaj popullit serb që po tenton të përhapet edhe në Mal të Zi, aq më tepër që vendi ynë është bërë strehë për kriminelët më të ashpër në mbarë botën, të cilët paguajnë për lirinë e tyre duke korruptuar institucionet kompetente”, theksoi Knezheviçi, derisa ka kërkuar që serbëve t’u sigurohet ndihmë dhe mbrojtje.
Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë më shumë se 13 mijë e 500 persona. Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra nga forcat serbe, ndërsa mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.