Mali i Zi do të shpallë tri ditë zie, pas tragjedisë në Cetinje
Qeveria e Malit të Zi do të shpallë tri ditë zie për tragjedinë në Cetinje, ku sipas raportimeve kanë mbetur të vrarë shtatë persona, përfshirë edhe dy fëmijë.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Milojko Spajiq. Ai tha se janë në kërkim të autorit. I dyshuar është Aco Martinoviq.
“Tragjedia e tmerrshme na ka prekur të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë, gjithçka në dispozicion, janë në Cetinje. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur”, tha Spajiq për transmetuesin publik malazez RTCG.
Policia më herët publikoi fotografinë e të dyshuarit, derisa njoftoi se i njëjti është i armatosur.
“Policia është duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet në juridiksionin e saj për lokalizimin dhe vënien nën kontroll të personit dhe në terren ndodhen të gjitha njësitë organizative në dispozicion të policisë, përfshirë edhe Njësinë Speciale të Policisë. Vërejmë se personi është i armatosur dhe i rrezikshëm. Edhe edhe një herë drejtpërsëdrejti apelojmë te qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë të vëmendshëm dhe të qëndrojnë në objektet e tyre të banimit dhe të mos lejojnë persona të panjohur në shtëpitë e tyre, ndërsa policia të marrë të gjitha masat dhe veprimet me qëllim mbrojtjen e tyre dhe ndjekjen penale të autorëve. të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.