Mali i Zi e ekstradon në SHBA “mbretin” e kriptovalutave

31 dhjetor 2024 | 15:49

Do Kwon, i njohur si “mbreti i kriptovalutave”, kërkohej nga Shtetet e Bashkuara për shkak të mashtrimeve me kriptovaluta në vlerë të paktën 40 miliardë dollarë.

“Sot, në pikën kufitare të Aeroportit të Podgoricës, oficerët e NCB Interpol Podgorica, me mbështetjen e Njësisë Speciale të Policisë, ekstraduan shtetasin e Koresë së Jugut, DHK, i cili kërkohej nga dy shtete, përkatësisht Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Do Kwon kërkohej edhe nga Koreja e Jugut, por ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Bojan Bozoviq, më 27 dhjetor vendosi që ai të ekstradohej në SHBA. Gjykatat në Mal të Zi i kanë lëshuar të paktën tetë vendime, shpesh kontradiktore, në lidhje me fatin e Do Kwonit.

Në shtator, Gjykata Supreme e Malit të Zi tha se Do Kwon mund të dërgohej qoftë në Shtetet e Bashkuara, apo Korenë e Jugut, dhe se vendimi përfundimtar se në cilin vend i takonte ministrit të Drejtësisë.

Më 24 dhjetor, Do Kwon e humbi ankesën përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi kundër ekstradimit.

Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi tha se vendosi ta ekstradojë Do Kwonin në SHBA duke i marrë parasysh të gjitha faktet dhe duke vlerësuar kushtet, si peshën e veprave penale, vendin e kryerjes së tyre, radhën e paraqitjes së kërkesës, shtetësinë e të kërkuarit, mundësinë e ekstradimit të mëtejshëm në një vend tjetër.

Do Kwon dhe partneri i tij i biznesit, Chang Jun, u arrestuan në Mal të Zi më 23 mars 2023, kur u përpoqën të udhëtonin në Dubai me një fluturim privat duke përdorur pasaporta të falsifikuara.

Më pas Kwon u dënua me nga katër muaj burgim për falsifikim të dokumenteve të udhëtimit. Chang Yun u ekstradua në Korenë e Jugut në fillim të këtij viti. Në tetor, Do Kwon pretendoi se akuzat e Koresë së Jugut ishin të paligjshme dhe “të motivuara politikisht”.

Gjyqi i Do Këon u zhvillua në mungesë në Shtetet e Bashkuara, ku një juri në Nju Jork më 5 prill e shpalli atë dhe Terraform Labs përgjegjës për akuzat civile për mashtrim, duke u pajtuar me Komisionin amerikan të Shkëmbimit dhe Letrave me Vlerë (SEC) se ata kishin mashtruar investitorët.

Terraform Labs pranoi t’i paguajë rreth 4.5 miliardë dollarë në një marrëveshje civile me SEC pas vendimit të gjykatës. Do Kwon u urdhërua t’i paguajë 204 milionë dollarë./rel

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një cigare e vetme herë pas here mund të mos…