Mali i Zi heton procedurat e dhënies së nënshtetësisë për biznesmenin Naser Ramaj
Pas arrestimit të biznesmenit kosovar me pasaportë malazeze, Naser Ramaj, i dyshuar për evazion fiskal, policia po kontrollon ligjshmërinë e procedurës përmes së cilës atij iu dha nënshtetësia e Malit të Zi në tetor të vitit të kaluar.
Paralelisht me padinë penale, policia ka nisur rishikimin e menjëhershëm të mënyrës se si Ramaj e mori nënshtetësinë malazeze gjatë mandatit të Qeverisë së mëhershme, që udhëhiqej nga Dritan Abazoviç, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danillo Sharanoviç, ka thënë se nëse konfirmohet se procedura ishte e paligjshme, do të kërkohet që Ramajt t’i merret nënshtetësia.
“Është kyçe të dihet mbi çfarë baze Ministria e Financave ka dhënë mendim pozitiv për marrjen e nënshtetësisë [nga Ramaj] sepse nuk ka asnjë provë të shkruar në ministri mbi bazën e së cilës është kryer verifikimi [i aktivitetit të biznesit të Ramaj në Mal të Zi]”, ka thënë Sharanoviç më 9 gusht.
Nënshtetësia iu dha Ramajt më 27 tetor 2023 me propozimin e kryeministrit të atëhershëm, Dritan Abazoviç.
Gjykata Themelore në Kotorr, të shtunën, i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak biznesmenit kosovar i arrestuar në Mal të Zi, Naser Ramaj.
Përveç arrestit shtëpiak, gjyqtari ka urdhëruar që Ramajt t’i konfiskohet edhe pasaporta. Ramaj qenë kryetar i klubit futbollistik “Feronikeli” nga Drenasi deri në vitin 2021 nga ku ishte larguar duke e lënë klubin me shumë borxhe.
Rreth 700 mijë euro ishte shuma e obligimeve të pashlyera nga kryesia në largim e ish-kampionit të Kosovës në futboll, Feronikelit.
Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, klubi nga Drenasi borxh kishte edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës, merr vesh Albanian Post nga burime brenda klubit.
Por, siç kupton AP, me afrimin e bizneseve të ri në klub janë shlyer borxhet ndaj futbollistëve, por jo edhe ndaj ATK-së.
“700 mijë euro borxhe janë paguar nga kryesia e re, por Naser Ramaj ka ende borxhe në ATK, diku rreth 100 mijë euro”, thotë një burim për AP.
Gjithë këto borxhe ishin mbledhur prej 2019-tës, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Biznesmeni i njohur në Mal të Zi ishte larguar në vitin 2021 nga ‘Industrialistët’ pas thuajse katër viteve qëndrim në postin e presidentit dhe donatorit kryesor të klubit nga Drenasi.
Ramaj, njihet për investimet e tij në ndërtimin e komplekseve banesore, madje në vitin 2017 ishte taksapaguesi më i madh dhe për këtë pati marrë edhe mirënjohje nga komuna e Budvës.
Përkundër borxhit në ATK e dyshimeve për shmangie nga tatimi, Ramaj shpesh herë ka qenë edhe në ballinat e gazetave malazeze si biznesmen serioz dhe i suksesshëm.