Mali i Zi i ofron përkrahje Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka pritur të hënën me ceremoni ushtarake shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Malit të Zi, gjeneral brigade Dragutin Dakiq.
Më pas gjenerali Dakiq u prit në takime të ndara nga ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Ministri Berisha e ka falënderuar gjeneralin Dakiq për angazhimin e Malit të Zi në KFOR dhe në Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
Më tej, ministri i Mbrojtjes u fokusua në bashkëpunimin rajonal. “Duke pasur parasysh synimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO, prioritet i yni është thellimi i bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit që janë anëtare të NATO-s dhe ato që aspirojnë anëtarësim në NATO, duke qenë të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO”, ka thënë ministri Berisha.
Gjenerali Dakiq ka falënderuar ministrin Berisha duke ia përcjell mesazhin e ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.
Të dy shefat e ushtrive gjenerallejtënant Rama dhe gjeneral Dakiq dhe delegacionet e dy forcave zhvilluan një takim të përbashkët ku u diskutua për marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për nevojën e zgjerimit dhe avancimit të këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.
Në takimin me gazetarë, komandanti i FSK-së dhe shefi i ushtrisë së Malit të Zi, u shprehën se Mali Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira në fushën e mbrojtjes dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndër të tjera, gjenerallejtënant Rama ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian. “Kosova synon të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. Mali i Zi deri në anëtarësimin në NATO ka kaluar nëpër të njëjtën rrugë, prandaj çdo këshillë dhe përvojë nga Mali i Zi në këtë fazë të tranzicionit ka rëndësi të madhe për ne”, ka thënë gjeneral Rama, duke ofruar edhe kapacitetet profesionale dhe specialistike të FSK-së si kontribut për bashkëpunimin bilateral dhe fqinjësor.
Shefi i ushtrisë së Malit të Zi, Dragutin Dakiq, ka thënë se Mali i Zi promovon idenë e integrimit të Ballkanit perëndimor në strukturat euroatlantike dhe se ky është i vetmi qëllim që garanton paqe dhe stabilitet në këtë rajon.
Ai ka theksuar se duke ditur qëllimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në NATO, Mali i Zi është plotësisht i gatshëm që t’ju japë mbështetje juve dhe shteteve tjera fqinje, në realizimin e këtij qëllimi, si në nivel bilateral dhe multilateral.