Mali i Zi ka mbi 633 mijë banorë, sa jetojnë në Ulqin, Plavë, Guci dhe Tuz?
Në Mal të Zi jetojnë 633,158 banorë, dy për qind më shumë se në vitin 2011.
Këtë e kanë treguar rezultatet preliminare të regjistrimit, të cilat i ka bërë të ditur sot drejtori i Administratës së Statistikave të Malit të Zi, MONSTAT, Miroslav Pejoviq.
U regjistruan 217.441 familje dhe 396.873 banesa. Numri më i madh i banorëve është regjistruar në Podgoricë, Nikshiq, Tivar dhe Bijelo Polje, ndërsa më i vogli në Shavnik, Pluzhine dhe Zhabljak.
Në Ulqin jetojnë 21395 banorë, gjegjësisht ka rritje për 2014 qytetarë. Në Plavë tash banojnë 10378 nga 9081 sa ishin në vitin 2011.
Gucia ka rritje të popullsisë për 635 persona, gjegjësisht jetojnë 4662 qytetarë. Në Tuz jetojnë 13142 banorë, përkatësisht 1763 më shumë se para regjistrimit të fundit.
Rezultatet përfundimtare do të shpallen në gjysmën e dytë të vitit, transmeton Telegrafi.
“Sipas rezultateve paraprake të Censusit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në vitin 2023, në Mal të Zi jetojnë 633,158 banorë. Regjistrimi ka mbledhur të dhëna për 217,441 familje dhe 396,873 banesa ndërsa janë grumbulluar gjithsej 673,203 të dhëna gjatë fazave”, tha Pejoviq.
Ndihmësdrejtoresha e MONSTAT, Snezana Remikoviq njoftoi se në krahasim me regjistrimin e vitit 2011, numri i banorëve është rritur për dy për qind, raporton rtcg.
“Rritja e numrit të familjeve është pak më e lartë dhe kemi 217,441 amvisëri. Kur flasim për apartamente, kemi rritjen më të madhe, e cila është regjistruar rreth 26 për qind dhe i referohet 396,873 banesave për të cilat janë mbledhur të dhënat”, tha ajo.
Ajo tha se aktualisht nuk kanë të dhëna se sa ka ndikuar numri i të huajve në numrin e banorëve në Mal të Zi, që do të dihet kur të përfundojë përpunimi i të dhënave.
“Më së shumti banorë janë në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Bijelo Polje. Në këto katër komuna janë të përqendruara pak më shumë se 50 për qind e popullsisë së Malit të Zi. Në komunat e tjera kemi një numër dukshëm më të vogël të banorëve”, theksoi Remikoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk ka të dhëna për kombësinë, fenë dhe gjuhën, drejtori i MONSTAT-it, Pejoviq theksoi se të dhënat e sotme bazohen në ato që dalin nga qarqet e regjistrimit dhe se ato janë vlera agregate dhe se është e pamundur të raportohet çdo karakteristikë apo veçori tjetër e popullsisë pa futur të dhënat.
Regjistrimi në Mal të Zi u mbajt nga 3 deri më 28 dhjetor pasi u zgjat disa herë për shkak të kërkesave të opozitës dhe këshillit të popujve më pak të shumtë që paraprakisht të plotësohen disa kushte për zbatimin e tij.